Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja i cili u qëllua me armë zjarri nga 30-vjeçari Elvis Shkambi brenda sallës së Gjyaktës së Apelit, tronditi vendin ditën e djeshme. Një gjyqar ka rrëfyer për gazetaren e Top Channel Anila Hoxha bisedën e fundit me Astrit Kalaja, para seancës që do të ishte e fundit për të.
“Martoj vajzën dhe jam i lumtur. Mezi e pres atë ditë”-ishin fjalët e gjyqtarit.
Ngjarja ndodhi pas përfundimit të një seance gjyqësore për një çështje pronësie në Shkodër, e cila ishte në shqyrtim në Apelin e Tiranës. Mësohet se gjyqtari Astrit Kalaja kishte dhënë vendimin kundër palës së përfaqësuar nga Elvis dhe Gjon Shkambi. Menjëherë pas shpalljes së vendimit, Elvis Shkambi ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar tre herë në drejtim të gjyqtarit, duke e goditur në gjoks dhe lënë të vdekur në vend. Gjatë të njëjtës ngjarje, janë plagosur edhe babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj, pala tjetër në proces, të cilët ndodhen aktualisht në Spitalin e Traumës dhe janë jashtë rrezikut për jetën.