Gjykata Kushtetuese ka vendosur sot të pezullojë përkohësisht dekretin e Presidentit të Republikës, i cili parashikonte zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë e Tiranës. Ky vendim u mor pas kërkesës së paraqitur nga Erion Veliaj, që kundërshton si shkarkimin e tij nga detyra të Kryetarit të Bashkisë, ashtu edhe dekretimin e datës së zgjedhjeve të reja.

Në njoftimin zyrtar të Gjykatës thuhet se, pas shqyrtimit paraprak të çështjes, u vendos pezullimi i efekteve juridike të dekretit të Presidentit të Republikës për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese.

Kjo do të thotë se procesi për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme në Tiranë ndalet përkohësisht, deri në një vendim përfundimtar mbi kushtetutshmërinë e dekretit dhe të vendimit të Këshillit të Ministrave. Në kërkesën e tij, Veliaj ka argumentuar se shkarkimi dhe dekretimi i zgjedhjeve janë në kundërshtim me nenin 115, pika 2 dhe 3 të Kushtetutës, që përcakton kufijtë e kompetencave mes pushtetit vendor dhe atij qendror.

VENDIMI:

Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, sot në datën 09.10.2025 pasi mori në shqyrtim paraprak kërkesën e paraqitur nga kërkuesi Erion Veliaj me objekt: “Shfuqizimi i vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 539, datë 25.09.2025 “Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj”, si i papajtueshëm me Kushtetutën. Shfuqizimi i dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, si të papajtueshëm me nenin 115, pika 2 dhe 3 të Kushtetutës.

Pezullimi i efekteve juridike të dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë në zbatim të efekteve pezulluese që paragrafi 2 dhe 3 i nenit 115 i Kushtetutës parashikon, deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese.”, bazuar në nenin 45 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe nenin 27 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës,

VENDOSI

Pezullimin e dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë nr. 350, datë 01.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë.

Begaj dekretoi datën 9 nëntor për zgjedhjet e pjesshme në 6 Bashki, përfshi dhe Tiranën. Dekretimi i Begajt për zgjedhjet në Tiranë erdhi një ditë pasi Kushtetuesja e quajti procesin të pezulluar. Ndërsa më 2 Tetor, avokatët e Veliajt depozituan në Kushtetuese një ankim ndaj dekretit të Presidentit të Republikës, që shpalli vakancën në Bashkinë e Tiranës dhe vendosi datën e zgjedhjeve të pjesshme.

Tashmë Bashkitë që do të hyjnë në zgjedhje të parakohshme janë Vlora, Berati, Mati, Cërriku dhe Tepelena. Në tre bashki Berat, Mat dhe Tepelenë, kryetarët dhanë dorëheqjen për tu bërë deputetë. Në Cërrik, kryetari i bashkisë Andis Hasalla u emërua në kabinetin qeveritar si Ministër i Bujqësisë. Në Vlorë kryetari i bashkisë Ermal Dredha dha dorëheqjen pas sulmeve të Ramës. Ndërsa në Tiranë Veliaj u shkarkua nga Këshilli Bashkiak me urdhër nga kryeministri Rama./ Dosja.al