Jennifer Aniston ka reaguar ndaj kritikave që e akuzuan se nuk bëri fëmijë për shkak të karrierës në Hollywood.

Aktorja e njohur nga seriali “Friends” foli hapur për përpjekjet e saj të gjata për të krijuar një familje në një intervistë të re për Harper’s Bazaar UK, duke rrëfyer si rrallëherë anën e dhimbshme të jetës së saj private.

“Ata nuk e dinin historinë time, apo çfarë kam kaluar për 20 vite për të provuar të kem një familje. Nuk e kam ndjerë kurrë nevojën t’u tregoj njerëzve për vuajtjet e mia mjekësore,” – u shpreh Aniston.
56-vjeçarja theksoi se shëndeti i saj dhe përpjekjet për të pasur fëmijë janë “çështje personale”, por se thashethemet e vazhdueshme në media shpesh e kanë lënduar.

“Vjen një moment kur s’mund të mos i dëgjosh narrativat që thonë se s’dua të kem fëmijë sepse jam egoiste apo punëdashëse. Por unë jam thjesht një njeri,” – shtoi ajo.

Aniston kujtoi se në vitin 2016 reagoi ndaj mediave me një artikull për Huffington Post, ku denoncoi presionin që i bëhet grave për t’u bërë nëna. Megjithatë, ajo tha se nuk ndien gjithmonë nevojën të kundërshtojë çdo lajm të pavërtetë, sepse “e vërteta dihet nga familja dhe miqtë”.

“Sigurisht që ndonjëherë më kap ndjenja e drejtësisë kur diçka e pavërtetë thuhet për mua. Por pastaj mendoj: ‘A ja vlen vërtet?’” – tha ajo.

Aktorja e “Bruce Almighty” kujtoi edhe kohën kur ishte martuar me Brad Pitt (2000–2005), duke zbuluar se ata kishin provuar të bëheshin prindër përmes IVF (fertilizimit in vitro).

“Një arsye pse vendosa ta ndaja këtë historinë ishte sepse shumë gra atëherë po përballeshin me të njëjtin realitet. Nuk ishte vetëm për mua  ishte për çdo grua që po luftonte me të njëjtin problem,” – u shpreh Aniston.
Në një intervistë për Allure në vitin 2022, ajo kishte zbuluar se kishte kaluar vite duke provuar IVF dhe metoda alternative për të mbetur shtatzënë.