Vetëm 16 këngëtare femra në botë kanë arritur një sukses të jashtëzakonshëm në Spotify: secila prej tyre ka të paktën një këngë që ka kaluar 1 miliard dëgjime. Por vetëm gjysma e tyre, një arritje edhe më e rrallë, kanë më shumë se një këngë që ka kapërcyer këtë shifër rekord.
Në fillim të vitit 2023, Taylor Swift nuk kishte asnjë këngë që kishte tejkaluar një miliard dëgjime. Sot, vetëm dy vjet më vonë, ajo renditet ndër artistet me më shumë këngë miliardëshe në platformë, duke dëshmuar një tjetër fazë të artë në karrierën e saj muzikore.
Në skenën latine, Karol G dhe Shakira mbajnë rekordin si gratë me më së shumti këngë mbi një miliard dëgjime në Spotify. Këngë si Tusa, Provenza, Hips Don’t Lie dhe BZRP Music Sessions #53 kanë pushtuar jo vetëm tregun latin, por edhe atë global.
Edhe muzika K-Pop është përfaqësuar me dinjitet: LISA dhe JENNIE nga grupi BLACKPINK janë të vetmet artiste solo të K-Pop-it që kanë arritur këtë sukses, respektivisht me hitet MONEY dhe Popular.
Në mesin e emrave më të fuqishëm të industrisë janë edhe dy shqiptare me famë ndërkombëtare:
Bebe Rexha, me 4 këngë që kanë kaluar një miliard dëgjime, si Meant to Be dhe I’m Good (Blue).
Dua Lipa, e cila mban një rekord mbresëlënës me 12 këngë miliardëshe, përfshirë Levitating, Don’t Start Now dhe New Rules.
Ky është një tregues i qartë se artistet shqiptare po vazhdojnë të jenë forcë e pakonkurrueshme në skenën ndërkombëtare të popit.
Deri më sot, vetëm pesë këngëtare kanë më shumë se 10 këngë që kanë tejkaluar 1 miliard dëgjime në Spotify një listë elitare që përfshin emra si Dua Lipa, Taylor Swift, Ariana Grande, Billie Eilish dhe Rihanna.
Suksesi më i fundit që i është shtuar kësaj liste është ai i Doja Cat, me këngën You Right, e cila u bë kënga e saj e tetë që kalon shifrën e 1 miliard dëgjimeve.
Në një treg gjithnjë e më konkurrues, këto 16 artiste tregojnë se muzika e grave po udhëheq epokën dixhitale me zëra, stile dhe mesazhe që po ndikojnë miliona dëgjues në mbarë botën.