Kur një film ndez entuziazmin para se të mbërrijë në kinema, është shenjë që diçka e madhe po vjen. Dhe pikërisht kjo po ndodh me “Marty Supreme”, veprën e re të Josh Safdie, e cila pas premierës në New York Film Festival ka ndezur dritat e sezonit të çmimeve.

Në qendër të çdo bisede, një emër kumbon më fort se të tjerët: Timothée Chalamet.

Ylli i ri, tashmë i njohur si i preferuari i Akademisë, këtë herë duket se ka firmosur një kontratë shpirtërore me Oscarin falë një interpretimi që kritikët e kanë quajtur “rrufeshëm”, “magnetik”, “i pakrahasueshëm”.
Në një garë që sapo ka nisur, Chalamet është tashmë në krye.

Strategjia ka qenë mjeshtërore: disa shfaqje të mbyllura, një hije misteri e ndërtuar me kujdes, dhe një dozë e matur çmendurie ajo markë tipike që vetëm vëllezërit Safdie dinë ta sheshojnë, këtu me Josh-in në regji.
Reagimet e para janë shpërthyese. Në rrjete dhe në revista, fjala “triumf” përsëritet si refren.
“Marty Supreme” përshkruhet si një odisé vizuale dhe emocionale, një histori sportive që përzien tensionin me ironinë, dëshirën për madhështi me frikën e rënies.

Krahasimi më i zakonshëm është me “Uncut Gems”, por me një frymë më të kontrolluar, më intime.
Këtu, adrenalina zëvendësohet nga melankolia një rrugëtim i brendshëm drejt vetëpërcaktimit, që i jep formë të re kinemasë së Safdie-ve.

Në këtë univers, qendra rrezatuese është vetë Timothée Chalamet.

Ai mishëron Marty Reisman, ose më saktë, një version imagjinar të tij një gjeni i ping-pongut me ëndrra të mëdha dhe një shpirt të trazuar.

Chalamet, sipas burimeve, ka studiuar me muaj teknikën e lojës, ka punuar mbi trupin, zërin dhe ritmin e lëvizjeve.
Rezultati? Një interpretim që të tërheq si magnet.
Kritikët janë njëzëri: ky është roli i jetës së tij.

Ndërsa filmi përgatitet për publikimin zyrtar në dhjetor, në zemër të sezonit të çmimeve, në Hollywood zërat po bëhen gjithnjë e më të fortë.

Në forume si Gold Derby flitet për një nomim të sigurt, ndërsa shumë mendojnë se “Marty Supreme” do të jetë karta më e fortë e Akademisë për çmimin e aktorit kryesor.

“Marty Supreme” nuk është as biografi, as film sportiv në kuptimin klasik.
Është një parabolë për ambicien, identitetin dhe brishtësinë e njeriut.
Safdie ndërton një botë ku ping-pongu bëhet metaforë e dëshirës për kontroll dhe e dështimit të pashmangshëm për ta ruajtur atë.

Regjia është dinamike, gati febrile; kamera ndjek personazhet sikur të ishin në një duel, ndërsa muzika e Daniel Lopatin (bashkëpunëtor i Safdie-ve në Good Time dhe Uncut Gems) alternon tinguj sintetike me heshtje pezull, duke u kthyer në një personazh më vete.

Filmi zgjat dy orë e gjysmë, por askush nuk e ndien kohën të kalojë.
Ritmi nuk ndalet.
Edhe ata që shprehen se nganjëherë narracioni është “tepër ambicioz” apo “qëllimisht disonant”, pranojnë një gjë: Safdie dhe Chalamet kanë guxuar të krijojnë diçka që rrezikon, por nuk dorëzohet.

Në premierën e Nju Jorkut, salla u ngrit në këmbë.
Një standing ovation që zgjati minuta të tëra, me brohoritje që përzienin mahnitjen me euforinë.
“Është një film që s’të lë të ikësh,” – shkroi The Washington Post.
“Të fut brenda, të bën të djersish bashkë me të.”

Në rrjete sociale, klipet dhe memet e skenave më hipnotike u përhapën si zjarr.
Variety e quajti performancën e Chalamet një ‘stërvitje emocionale’, që “të lë të rraskapitur, por i lumtur që e përjetove.”

Për Timothée Chalamet, kjo është vetëm fillesa e një loje të madhe.
Por gara për Oscarin, mesa duket, mund të ketë tashmë një fitues të heshtur dhe ai quhet Marty Supreme.