Taylor Swift nuk bën thjesht muzikë, ajo rrëfen. Tregon për veten, për ne dhe për kohën ku jetojmë. Ajo arrin ta shndërrojë çdo këngë në një ngjarje, çdo gjest në një histori dhe çdo album në një kapitull të një biografie kolektive.

Ka ndërtuar një perandori mbi vëmendjen, por jo në kuptimin negativ të fjalës: ajo e ka kthyer atë në lidhje, ritual dhe përkatësi. Kur publikon një album, nuk është thjesht një dalje muzikore, është një fenomen shoqëror. Dëshmia që kultura pop, nëse trajtohet me mençuri, mund të tingëllojë ende autentike.

Pas viteve të shumta përballjesh dhe rivendosjesh, Taylor Swift duket se ka gjetur një paqe të re. The Life of a Showgirl, albumi i saj më i fundit, është një himn për qetësinë e fituar, për të drejtën për të qenë e lumtur pa ndjerë faj. Pak a shumë si Lemonade i Beyoncé-s, edhe ajo e ka shndërruar dhimbjen në një gjuhë universale. Por me një ndryshim thelbësor: tani ajo kënaqet në lumturi, në jetën që ka gjetur ekuilibrin e ri, në dashurinë me Travis Kelce, në lehtësinë pas melankolisë, në lirinë pas betejave.

Kjo është evolucioni i saj më radikal: të kuptojë se për t’u dëgjuar ende, duhet të ndryshosh pa tradhtuar veten. Taylor ka mësuar të drejtojë rrëfimin e jetës së saj si një film që nuk mbaron kurrë. Është protagoniste, regjisore dhe producente njëkohësisht. Ajo di kur të zhduket dhe kur të rikthehet, kur t’i bëjë fansat të qajnë e kur t’i bëjë të qeshin, kur të tregojë brishtësinë dhe kur të festojë rilindjen.

Sepse ajo nuk bën vetëm muzikë ajo tregon veten më mirë se kushdo tjetër.