Autostrada Tiranë–Durrës do të ketë mbyllje të pjesshme të qarkullimit ditën e hënë, më 13 tetor, për shkak të nisjes së punimeve në kuadër të projektit “Emergjencë për riparimin e nënshtresave dhe shtresave asfaltike në segmentin rrugor Vorë–Ura e Dajlanit”.

Në njoftimin e bërë publik nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Ministria e Infrastrukturës disa ditë më parë, u njoftua se bllokimi do të ndodhë në drejtimin Vorë–Durrës, në këto segmente:

-Vorë–Maminas

-Maminas–Sukth

-Sukth–Fllakë

-Fllakë–Mbikalimi i Shkozetit

-Mbikalimi i Shkozetit–Ura e Dajlanit

Punimet do të zgjasin 1 deri në 2 ditë për çdo segment, dhe gjatë kësaj kohe drejtuesit e automjeteve këshillohen të përdorin rrugën alternative Vorë–Maminas–Katër rrugët e Shijakut–Durrës.

Pas përfundimit të ndërhyrjeve në krahun Vorë–Durrës, punimet do të vijojnë në krahun tjetër, Ura e Dajlanit–Vorë, me të njëjtën ndarje segmentesh dhe kohëzgjatje.

ARRSH u bën thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve për mirëkuptim, duke theksuar se ndërhyrja ka për qëllim përmirësimin e sigurisë dhe cilësisë së qarkullimit në një nga akset më të ngarkuara të vendit.