Historia e tyre ishte një dashuri e zjarrtë, e ndërlikuar dhe pa fund të lumtur.
Al Pacino dhe Diane Keaton u njohën në vitin 1971, gjatë xhirimeve të filmit Kumbari (The Godfather). Ai luante Michael Corleonen, ajo Kay Adamsin gruan që përpiqet ta shpëtojë burrin e saj nga bota e krimit. Në film u martuan, por në jetën reale jo. Megjithatë, dashuria mes tyre ishte e vërtetë.
Pas ndarjes së saj nga jeta në moshën 79-vjeçare, Al Pacino ka pranuar publikisht pendesën më të madhe të jetës së tij: që nuk u martua me Diane Keatonin kur pati mundësinë.
Sipas Daily Mail, një mik i afërt i aktorit tregoi:
“Kur kthen kokën pas, Al e pranon se dashuria e jetës së tij ka qenë gjithmonë Diane. E ka quajtur gjithmonë një grua të jashtëzakonshme dhe e di që do të pendohet përgjithmonë që nuk e bëri atë hap kur mundej.”
Për më shumë se 15 vjet, deri në vitin 1987, ata u dashuruan, u ndanë, dhe u rikthyen, në një cikël të vazhdueshëm që vetëm ata e kuptonin. Në një moment, Diane e vendosi përballë një zgjedhjeje:
“O martohemi, o mbaroi.”
Por Al Pacino, besnik ndaj shpirtit të tij të lirë, zgjodhi të largohej.
“Asnjë grua nuk do të më detyrojë të bëj diçka për të cilën nuk jam gati,” thuhet se ka thënë asokohe.
Edhe pse banonin në Beverly Hills, vetëm pak kilometra larg njëri-tjetrit, nuk folën më.
Një mik i Pacinos ka rrëfyer:
“E pyeta pse nuk e kërkonte më. Ai tha: ‘S’ka nevojë të flasim. Çdo gjë që kishim për të thënë, ia kemi thënë njëri-tjetrit.’”
Diane Keaton, nga ana e saj, nuk e kishte parë kurrë martesën si prioritet.
E rritur me një baba shpesh mungues për shkak të punës, ajo kishte admiruar gjithmonë forcën e nënës së saj që rriti katër fëmijë vetëm.
“Ndoshta për këtë arsye ajo mbrojti gjithmonë pavarësinë e saj,” — kujton një mike e saj.
“Por me Al ishte ndryshe. Me të mund ta imagjinonte një familje.”
As ajo dhe as Al nuk u martuan kurrë.
Në moshë të pjekur, Diane adoptoi dy fëmijë, Dexter dhe Duke, ndërsa Al Pacino u bë baba i katër fëmijëve me partnere të ndryshme.
Megjithatë, ajo e kishte pranuar hapur në një intervistë:
“Al ishte magjepsës, plot humor, i bukur. Unë isha e çmendur pas tij. U përpoqa shumë që ta bëja të funksiononte, por ndoshta jo në mënyrën e duhur.”
Sot, në moshën 85-vjeçare, Al Pacino mbetet një njeri që gjithmonë ka ndjekur vetëm busullën e vet.
Një i afërt i tij ka thënë:
“Nuk ka lejuar kurrë askënd t’i thotë çfarë të bëjë. Ndoshta kjo vjen nga fakti që është rritur pa baba ndoshta prej andej lind edhe frika e tij për t’u lidhur.”
Një mikeshë e Diane Keaton ka shtuar:
“Në Al kishte diçka që i kujtonte një djalë të vogël që kishte nevojë për dashuri. Por ajo e dinte që ai kurrë s’do t’ia mohonte lirinë. Ndoshta kjo ishte arsyeja pse e deshi aq shumë.”
Dhe megjithë historitë e shumta të aktorit, Diane Keaton mbeti dashuria e tij e madhe.
Vite më vonë, Pacino u shprehte miqve të afërt:
“Nëse është e shkruar, kurrë nuk është vonë për të filluar sërish.”