Pas shumë koktejlesh, një darke të rëndë apo një pushimi të tejkaluar me ushqim, të gjithë e kemi përjetuar ndjesinë e fytyrës së fryrë dhe barkut të tendosur. Po çfarë mund të bëjmë në këto raste?
Përveç konsumimit të më shumë ujit dhe një stërvitjeje të shkurtër, çaji i luleradhiqes mund të ndihmojë. Ky ilaç natyral i lashtë njihet për efektet e tij detoksifikuese dhe kundër fryrjes, dhe përflitet se është përdorur nga modelet përpara sesioneve fotografike apo sfilatave.
“Sipas disa studimeve, ai mund të ndihmojë në reduktimin e mbajtjes së ujit, si dhe në përmirësimin e tretjes dhe funksionit të mëlçisë,” – shpjegon infermierja dhe fitoterapistja integruese Lynn Green.
Më poshtë, një vështrim më i thellë mbi vetitë shëndetësore dhe përfitimet e kësaj bime.
Vetitë shëndetësore të luleradhiqes
Shumë prej nesh e kujtojnë luleradhiqen e verdhë të fëmijërisë, që në fund të verës shndërrohej në një top të bardhë me fije ajri. Por luleradhiqja (Taraxacum officinale) nuk shërben vetëm për kurora me lule lulet, gjethet, farat dhe rrënjët e saj janë të pasura me vitamina, minerale, fibra dhe antioksidantë si polifenole dhe beta-karoten.
Megjithëse shpesh cilësohet si “bar i keq”, kjo bimë modeste ka përdorim të gjerë në mjekësinë tradicionale për mbështetjen e mëlçisë, zemrës dhe lëkurës. Një rishikim shkencor i plotë tregon se luleradhiqja ka vlera diuretike, hepatombrojtëse, antikolitis, imunomoduluese, antivirale, antifungale, antibakteriale, antiartritike, antidiabetike, kundër obezitetit, antioksiduese dhe antikancerogjene.
“Veprimi mbrojtës i Taraxacum officinale ndaj dëmtimeve të mëlçisë, stresit oksidativ dhe proliferimit të qelizave kancerogjene është mirë i dokumentuar në literaturën shkencore,” – theksohet në studim.
Nuk është çudi, pra, që emri shkencor i saj rrjedh nga greqishtja e lashtë dhe nënkupton “ilaç mjekësor”.
Përfitimet kryesore të luleradhiqes:
-E pasur me flavonoide dhe kalium, që ndihmojnë në reduktimin e mbajtjes së ujit dhe eliminimin e lëngjeve të tepërta.
-Gjethet përmbajnë fibra dhe inulinë, me efekt prebiotik që përmirëson tretjen dhe balancën e mikrobiomës intestinale.
-Falë antioksidantëve të lartë, lufton stresin oksidativ.
-Ka veti anti-inflamatore.
-Ndihmon në rregullimin e sheqerit në gjak.
-Mund të ulë trigliceridet dhe kolesterolin LDL (“të keq”).
-Ekstrakti i rrënjës së luleradhiqes nxit qarkullimin qelizor të lëkurës, stimulon prodhimin e kolagjenit dhe redukton inflamacionin, duke parandaluar puçrrat dhe aknet.
Si konsumohet luleradhiqja?
Për ata që jetojnë në periferi apo fshat, është një bimë e njohur. Gjethet e saj të dhëmbëzuara dhe plot lëndë ushqyese mund të gatuhen si spinaqi ose të konsumohen të freskëta në sallata. Po ashtu, lulet, sythat dhe rrënjët janë të ngrënshme, me një shije të hidhur por jo të pakëndshme.
Si të përgatisni çajin e luleradhiqes
Mund të përdoren gjethe apo rrënjë të freskëta ose të thata për të përgatitur çajin bimor.
Në treg gjenden gjithashtu versione të gatshme, shpesh të quajtura “kafe luleradhiqeje”, pasi ofron një alternativë të kënaqshme pa kafeinë ndaj kafes klasike.
Nëse dëshironi ta përgatisni vetë:
Vendosni 1–2 lugë gjelle gjethe ose rrënjë të thata (ose të freskëta) në një çajnik.
Shtoni ujë të sapozier.
Lëreni të qëndrojë për 5–10 minuta.
Kullojeni dhe pijeni.
Nëse shija ju duket shumë e hidhur, shtoni pak mjaltë.