Kompania amerikane e inteligjencës artificiale, OpenAI, njoftoi se së shpejti do të lejojë përmbajtje më të gjera në ChatGPT, përfshirë edhe përmbajtje erotike, por vetëm për përdorues të verifikuar si të rritur. Sipas CEO-së Sam Altman, qëllimi është të “trajtohen të rriturit si të tillë”, duke ruajtur një mjedis të sigurt dhe të kontrolluar.
Ndryshimet pritet të hyjnë në fuqi nga dhjetori, me implementimin e sistemit të verifikimit të moshës. Ky vendim vjen ndërsa kompania përballet me shqetësime publike dhe ligjore mbi ndikimin e AI tek fëmijët dhe të miturit. Ekspertë dhe organizata për të drejtat e fëmijëve paralajmërojnë se rreziku për akses të fëmijëve mbetet i lartë dhe se verifikimi i moshës nuk është ende i besueshëm.
Ligjvënësit në SHBA po shqyrtojnë projektligje për rregullimin e chatbot-eve, duke i dhënë përdoruesve të drejtën të padisin kompanitë për dëme të shkaktuara nga AI. Megjithatë, OpenAI synon të zgjerojë funksionalitetet e ChatGPT për të ruajtur avantazhin në tregun global të inteligjencës artificiale.