Këngëtari dhe kantautori i njohur shqiptar, Kastro Zizo, ka ndarë një prej rrëfimeve më të ndjera të jetës së tij personale, duke folur hapur për marrëdhënien me vajzën 13-vjeçare dhe betejën e gjatë ligjore për ta pasur pranë.
Në një intervistë për Top Albania Radio, Zizo zbuloi se pas më shumë se një dekade pa e parë vajzën, ka mësuar se ajo është në spektrin autik një fakt që e ka tronditur thellë dhe që ai e mori vesh vetëm pas ndërhyrjes së shërbimeve sociale.
“Vajza nuk është si fëmijët e tjerë. Është në spektrin autik, vjen si pasojë e një historiku të gjatë, pak të errët, ku ka jetuar, te nëna e saj,” – rrëfeu artisti me emocion.
Ai tregoi se për rreth 10 vite nuk i është lejuar asnjë kontakt me vajzën, ndërsa kujtoi momentin e dhimbshëm kur mësoi për gjendjen e saj shëndetësore:
“Në një moment kur nuk të është lejuar të shohësh vajzën për 10 vite, mëson se është autike. Mua më është ndërprerë çdo kontakt. Mesa duket kanë menduar se nuk isha i denjë. Kanë tentuar të rrisin jo një qenie njerëzore… nuk kanë ditur të rrisin një fëmijë,” – tha ai me ton të prerë.
Artisti shtoi se vetë ka udhëtuar drejt Prishtinës për të parë vajzën dhe për të kuptuar realitetin në të cilin ajo jetonte:
“Vajza është marrë nga unë në kushte të tmerrshme. Shkova në Prishtinë, u lajmërova nga shërbimet sociale, jetonte me të ëmën,” – tregoi Kastro, duke theksuar se ndihma institucionale ishte e vetmja mënyrë për të ndërhyrë.
“Unë mund të flas me orë të tëra për të… ajo është pjesa më e pastër e shpirtit tim,” – përfundoi artisti.
Rrëfimi i tij sjell në vëmendje një realitet të dhimbshëm me të cilin përballen shumë prindër që humbasin kontaktin me fëmijët për shkak të konflikteve familjare, duke e kthyer historinë e Kastro Zizos në një apel të heshtur për ndërgjegjësim, ndjeshmëri dhe drejtësi.