Gjykata e Magjistraturës në Adelaide ka vendosur të pushojë njërën nga akuzat ndaj terapistes dhe bashkëshortes së Elvis Pupës, Belina Pupa, e cila prej muajsh është përfshirë në një proces gjyqësor në Australi.
Sipas dokumenteve gjyqësore, akuza për kultivimin e 43 bimëve kanabisi në një pronë në zonën e Ascot Park nuk do të vazhdojë më. Ky vendim nënkupton se për këtë çështje nuk do të ketë asnjë vendim për fajësi apo dënim. Megjithatë, akuza e dytë – që lidhet me ndërhyrjen e paautorizuar në furnizimin elektrik mbetet ende në shqyrtim dhe është shtyrë për seancë më 25 nëntor 2025, në Gjykatën e Adelaide.
Sipas të dhënave zyrtare, ngjarja e hetuar dyshohet të ketë ndodhur gjatë periudhës 1 janar – 4 prill 2025.
Në një deklaratë për mediat, Belina Pupa ka sqaruar se çështja lidhet me një pronë të dhënë me qira, por që figuron në emrin e saj. Ajo ka kërkuar që opinioni publik të presë përfundimin e procesit gjyqësor për të pasur një pasqyrë të plotë të ngjarjes.
“Bëhet fjalë për një pronë të dhënë me qira, por që është në emrin tim. Gjyqi po mbahet për pasqyrimin e fakteve. Nuk mund të them asgjë më shumë, derisa çështja të mbyllet, për arsye hetimore dhe për të qenë e qartë për të gjithë në fund. Ju falënderoj që më pyetët përpara se të shpërndanit një lajm të përçudnuar,” – është shprehur ajo.
Edhe bashkëshorti i saj, Elvis Pupa, ka reaguar ndaj lajmeve që kanë qarkulluar në media, duke i cilësuar ato si “të pavërteta dhe keqdashëse”.
“Jam i detyruar të reagoj pas disa lajmeve të pavërteta dhe keqdashëse që po qarkullojnë, sipas të cilave unë gjoja ‘jam arratisur’ apo ‘ndodhem në kërkim’. Dua të jem i qartë: prej më shumë se një muaji ndodhem në Tiranë, ku po zhvilloj angazhime profesionale të planifikuara në Shqipëri dhe në Europë,” – ka thënë ai.
Aktori shtoi se çdo përpjekje për ta paraqitur ndryshe situatën është një manipulim i qëllimshëm, që kërkon të krijojë sensacion aty ku nuk ka asgjë të jashtëzakonshme.
“Bashkëshortja ime vazhdon aktivitetin e saj profesional dhe është plotësisht e lirë. Çështja është në proces dhe drejtësia do të flasë e fundit. Fatkeqësisht, kemi parë një keqpërdorim të rëndë të lajmit për qëllime klikimesh, ku deformimi ka zëvendësuar të vërtetën,” – ka shtuar ai.
Në fund të deklaratës, çifti Pupa theksoi se do të vazhdojnë jetën dhe punën e tyre me qetësi dhe transparencë, duke i qëndruar besnikë respektit ndaj publikut dhe drejtësisë.