Gjykata e Australisë ka shpallur të pafajshme Belina Pupën, e cila u përball me akuza për kultivim të lëndëve narkotike në një banesë të regjistruar në emrin e saj.
Lajmi është konfirmuar nga burime gjyqësore australiane, ndërsa vendimi shënon mbylljen e një procesi që ka tërhequr vëmendjen e mediave, si në Australi ashtu edhe në Shqipëri.
Pas shpalljes së pafajësisë, bashkëshorti i saj, aktori Elvis Pupa, reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale, duke falënderuar publikisht të gjithë ata që kanë qëndruar pranë çiftit gjatë kësaj periudhe.
“Faleminderit të gjithëve për mbështetjen. Mos paçi të tilla raste që t’jua shpërblejmë,” – shkroi ai në një story në Instagram, duke përcjellë një mesazh mirënjohjeje, por edhe reflektimi.
Procesi ndaj Belina Pupës nisi në maj të këtij viti, kur ajo u paraqit në gjykatë në Adelaide, pas akuzave për kultivim kanabisi dhe lidhje të paligjshme të energjisë elektrike në një pronë që figuron në emrin e saj.
Në një deklaratë të mëparshme, Pupa kishte sqaruar se ambienti ku ishin konstatuar shkeljet ishte dhënë me qira, duke theksuar se ajo vetë nuk kishte asnjë lidhje me aktivitetin e dyshuar.
“Bëhet fjalë për një pronë të dhënë me qira, por që është në emrin tim. Nuk mund të komentoj më shumë derisa procesi të përfundojë plotësisht,” – kishte deklaruar ajo.
Gjatë zhvillimeve të para të çështjes, në media u përhapën gjithashtu zëra se edhe Elvis Pupa ishte shpallur në kërkim nga autoritetet australiane, por aktori reagoi menjëherë duke përgënjeshtruar këto lajme dhe duke i cilësuar ato si “manipulime të qëllimshme”.
“Nuk më keni borxh asgjë, jeta ime personale nuk ju përket juve,” – ishte shprehur ai në një video publike, duke bërë thirrje për më shumë kujdes dhe etikë në raportimin mediatik.
Vendimi i fundit i Gjykatës për shpalljen e pafajshme të Belina Pupës mbyll një kapitull të vështirë për çiftin, të cilët kanë theksuar se do të vazhdojnë jetën dhe aktivitetin e tyre profesional “me qetësi, transparencë dhe respekt për të vërtetën”.