Fejesa e Princ Lekës II me Blerta Celibashin në jug të Shqipërisë ka tërhequr vëmendje të madhe, jo vetëm për elegancën e ceremonisë, por edhe për detajin më të komentuar të mbrëmjes unazën e fejesës.

Sipas raportimit të revistës prestigjioze Hello Magazine, unaza me diamant që Blerta Celibashi mban në gisht mund të ketë vlerën e rreth 140 mijë eurove. Revista britanike ka kontaktuar ekspertë të bizhuterive luksoze për të vlerësuar gurin dhe punimin e saj, të cilat, sipas tyre, e bëjnë këtë unazë një nga më të veçantat e vitit.

Eksperti i njohur i bizhuterive Nilesh Rakholia, themelues i PureJewels në Londër, u shpreh për “Hello” se unaza është “e punuar bukur dhe me delikatesë, një zgjedhje që reflekton klas, dashuri dhe status”.

“Bëhet fjalë për një diamant qendror me 2 deri në 3 karat, me qartësi dhe ngjyrë të shkëlqyer. Vlera e saj mund të variojë nga 80,000 deri në 120,000 paund, që përkthehet në rreth 100,000 deri në 150,000 dollarë amerikanë,” – shpjegoi Rakholia.

Ceremonia e fejesës u zhvillua në një prej rezorteve më luksoze të jugut të Shqipërisë, në prani të familjarëve të afërt, miqve dhe personaliteteve të njohura të jetës publike. Çifti, i cili është komentuar shpesh për elegancën dhe diskrecionin e tyre, zgjodhi një ambient romantik buzë detit për të kurorëzuar këtë hap të rëndësishëm në jetën e tyre.