Gjykata e Tiranës ka shpallur sot më 20 tetor, vendimin për Mariela dhe Antonela Berisha, të cilat u shpallën fajtore për dhunë ndaj blogeres Klea Prenga, ngjarje që ndodhi në gusht të vitit 2024.
Mariela Berisha u dënua me 3 vite burg, por për shkak të pranimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul në 2 vite.
Ndërkohë, për motrën e saj, Antonela Berisha, gjykata caktoi një masë alternative prej 3 vitesh shërbim prove, e cila gjithashtu u reduktua në 2 vite, pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, raporton për Klan News, gazetarja Glidona Daci.
Ngjarja ndodhi në një restorant në Tiranë, ku Klea Prenga u sulmua fizikisht nga motrat Berishaj, gjatë një darke. Sipas hetimeve, sulmi ndodhi për motive të dobëta dhe u shoqërua me përdorimin e sendeve të forta, duke i shkaktuar dëmtime serioze blogeres.
Pas incidentit, të dyja motrat u shpallën në kërkim nga policia dhe u vetëdorëzuan rreth dy muaj më vonë.
NJOFTIM PËR SHTYP
Referuar interesit të shfaqur nga disa gazetarë, komunikohet informacioni zyrtar në vijim:
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Penale, pasi ka mbyllur shqyrtimin gjyqësor të çështjes penale në ngarkim të të pandehurave M.B. dhe A.B, ka shqyrtuar dhe vlerësuar të gjitha aktet dhe provat të administruara në kuadër të këtij procedimi penal, ka dëgjuar palët në pretendimet e tyre përfundimtare, në emër të Republikës,
VENDOSI
1. Deklarimin fajtore të të pandehures M.B. për kryerjen e veprës penale të “Plagosje e rende me dashje” e kryher ne bashkëpunim parashikuar nga neni 88 e 25 i K.Penal dhe dënimin e saj në bazë të këtij neni me 3 (tre) vjet burgim.
2. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit M. B. i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) burgim.
3. Vuajtja e dënimit për të pandehuren M.B. fillon nga dita e vete-dorëzimit te saj date 15.10.2024, dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
4. Deklarimin fajtor të të pandehures A.B. për kryerjen e veprës penale të “Plagosje e rende me dashje” e kryher ne bashkëpunim parashikuar nga neni 88 e 25 i K.Penal dhe dënimin e saj në bazë të këtij neni me 3 (tre) vjet burgim.
5. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit A. B., i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vjet burgim.
6. Në bazë të nenit 59 të Kodit Penal urdherohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim, për një kohë prove prej 3 (tre) vjet, me kusht që e pandehura të mbajë kontakte me Sherbimin e Provës dhe gjate kësaj kohe të mos kryejë vepër tjetër penale.
7. Heqjen e masës së sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, caktuar nga Gjykata e Shkalles se Pare e Juridiksionit te Pergjithshem Tiranë me vendimin nr. 2540 Akti, date 10.10.2024.
8. Shpenzimet proceduriale gjate fazes se hetimeve paraprake si dhe shpenzimet gjyqesore i ngarkohen te pandehurave ne menyre solidare.
9. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit te Juridiksionit te Pergjithshem Tiranë, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.
U shpall sot në Tiranë.