Aktivistja e njohur Edlira Çepani ka deklaruar publikisht mbështetjen e saj për kandidatin e pavarur për Bashkinë e Tiranës, Florjan Binaj.

E ftuar në programin e mesditës në News24, Çepani kujtoi periudhën kur të dy ishin pjesë e lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, ku bashkëpunuan si zëra të fortë të protestave qytetare.

“Puna ime konsiston në mbështetjen e kandidatëve që hyjnë në garë. Si organizatë, ne i monitorojmë zgjedhjet, lidhim kandidatët me votuesit, organizojmë forume dhe ndjekim premtimet e tyre, përfshirë edhe ato të ministres Manastirliu. Këtë herë kemi tre kandidatë me profile të ndryshme dhe shpresoj që të vijnë me programe të qarta me 3 apo 4 pika konkrete, që t’i japin politikës shqiptare një shembull ndryshe,” u shpreh Çepani.

Ajo shtoi se Binaj është një person që “do qytetin e vet, familjen dhe ka vlera të forta, edhe pse nuk është politikan karriere”.

Sipas saj, këto zgjedhje vijnë pas një periudhe të ngarkuar me skandale dhe mund të jenë një mundësi për të rikthyer besimin e qytetarëve përmes një shembulli pozitiv.