Gjykata e Tiranës ka shpallur fajtore aktoren Egla Ceno për veprën penale të shpifjes ndaj moderatorit Saimir Kodra, pas deklaratave të saj gjatë pjesëmarrjes në reality show-n “Big Brother VIP Albania”.
Në program, Ceno kishte rrëfyer se ishte ngacmuar seksualisht nga një moderatori në vendin e punës, deklaratë për të cilën më vonë Kodra ngriti padi në gjykatë për mbrojtjen e reputacionit personal dhe profesional.
Vendimi i gjykatës, i dhënë në mungesë të aktores, parashikon që ajo të publikojë një përgënjeshtrim në një media kombëtare, si formë dënimi për deklaratat e konsideruara të pavërteta.
Në një reagim për emisionin “Goca dhe Gra” në Top Channel, Egla Ceno deklaroi se ende nuk është njohur me arsyetimin e plotë të vendimit, por se do ta apelojë në të gjitha shkallët e drejtësisë.
“Nuk marr përsipër të flas për vendimin e gjykatës, ende nuk është zbardhur. Avokati më tha se dënohem si fajtore dhe detyrohem të publikoj një përgënjeshtrim. Nuk dihet ende mbi çfarë arsyetimesh është marrë vendimi,” – u shpreh ajo.
Aktorja theksoi se qëndron pas çdo fjale të deklaratës së saj, duke e cilësuar këtë si një “kauzë të lartë sociale” dhe jo një sulm personal ndaj moderatorit.
“Më vjen mirë që kjo kauzë është në vëmendjen e të gjithëve, sepse ky ishte qëllimi im. Unë nuk do tërhiqem, me mjete ligjore do ta vazhdoj këtë betejë, dhe dy jetë të kisha, do t’i shfrytëzoja për ta çuar përpara,” – tha Ceno.
Ajo shtoi se vendosi të flasë për këtë temë pikërisht gjatë qëndrimit në “Big Brother”, pasi “konteksti i bisedës dhe i temës së organizuar e bëri të përshtatshëm momentin”.
“E thashë në Big Brother sepse nuk kanë qenë kushtet për ta folur më parë. Konteksti ishte ai i një bisede të ndërtuar mbi tema të ndjeshme, dhe unë solla eksperiencën time,” – u shpreh ajo.
Në përmbyllje, Egla Ceno theksoi se nuk ka asnjë kontakt me Saimir Kodrën dhe se gjithçka e mëtejshme “do të zhvillohet brenda institucioneve përkatëse”.
“Nuk më lidh asgjë me zotërinë në fjalë. Nuk kam folur dhe as takuar pas deklaratës. Çfarë kam për të thënë do zhvillohet në rrugë ligjore,” – shtoi aktorja.
Vendimi i Gjykatës së Tiranës mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit. Deri në zbardhjen e plotë të vendimit, çështja mbetet e hapur, ndërsa debati publik mbi kufirin mes lirisë së fjalës dhe akuzave publike vazhdon të ngjallë reagime në rrjete sociale dhe opinion publik.