Këngëtarja e njohur dhe e dashur për publikun, Anxhela Peristeri, ishte e ftuar mbrëmjen e djeshme në emisionin “Goca dhe Gra”, ku ndau detaje të sinqerta nga jeta e saj private, përfshirë marrëdhëniet, dashurinë dhe mënyrën si e përjeton sot presionin për martesë.

Artistja u shpreh se dikur pyetjet për martesën e shqetësonin dhe e vinin në siklet, por me kalimin e viteve ka mësuar t’i marrë me më shumë qetësi dhe mirëkuptim.

“Dikur i përjetoja disi keq kur më pyesin për martesën, por tani nuk i përjetoj fare. Shumë shqiptarë e bëjnë këtë pyetje edhe nga dashuria, jo nga dashakeqësia. Ashtu si të bëjnë përshtypje gjërat kur je 20 apo 25 vjeçe, nuk të bëjnë më kur je 40,” – tha këngëtarja, duke shtuar se me kalimin e kohës ka fituar më shumë qetësi emocionale dhe siguri personale.

Po ashtu, ajo foli hapur për tradhtinë, duke pranuar se e ka përjetuar në disa forma gjatë jetës së saj jo vetëm në marrëdhënie sentimentale, por edhe në raportet shoqërore.

“Më kanë tradhtuar. Mendoj që tradhtia vjen kur nuk je i lumtur. Ka edhe tradhti shoqërore. Shoqëria më ka tradhtuar shumë. Nuk më kanë bërë ndonjë gjëmë të madhe, por ndonjëherë e kupton që të bëhet një ‘puç’. Edhe kur e kuptoj, nuk i jap shumë rëndësi,” – u shpreh këngëtarja.

Anxhela theksoi se pavarësisht zhgënjimeve, ka ruajtur marrëdhënie korrekte me kolegët e saj në muzikë dhe nuk ka lejuar që ndjenjat negative të ndikojnë në jetën e saj profesionale.

“Me të gjithë artistët flas. Nuk i kam prishur ndonjëherë marrëdhëniet. Edhe kur ndjej që dikush më ka zhgënjyer, përpiqem të mos e përjetoj gjatë,” – tha ajo me qetësi.

Në fund të bisedës, Peristeri iu përgjigj edhe pyetjes që e ndjek prej vitesh nga fansat dhe mediat: a do të vishet ndonjëherë me fustanin e bardhë?

“Akoma nuk e kam veshur fustanin e bardhë,” – u përgjigj me një buzëqeshje këngëtarja, duke lënë të hapur çdo mundësi për të ardhmen.