Edhe një ftesë në një podcast mund të kthehet në çështje kombëtare. Kështu ndodhi së fundmi me Arbana Osmanin e cila njoftoi se i ftuari i radhës në “Mirëmbrëma YJE” do të ishte Fero. Po, ai Fero: reperi që ngjall debat sa herë hap gojën.

Reagimet nuk vonuan. Rrjetet sociale shpërthyen mes komentesh, analizash e moralizimesh. Disa e panë si një zgjedhje të guximshme, të tjerë si një mënyrë për të gjeneruar klikime. Dhe mes gjithë këtij zhurme, Arbana vendosi të flasë vetë.

“I kam lexuar të gjitha reagimet… e respektoj mendimin e secilit prej jush,” shkroi ajo në Instastory. “Por besoj është e udhës që, përpara se të dalim në përfundime të nxituara, të dëgjojmë dhe të kuptojmë arsyen pas kësaj ftese.”

Ajo fton ndjekësit të ndjekin episodin e plotë, duke lënë pezull pyetjen që po i mundon të gjithë: pse pikërisht Fero?