Moderatorja, aktorja dhe personazhi i njohur i ekranit shqiptar, Delinda Zhupa Disha, ka bërë të ditur publikisht se do të kandidojë si kandidate e pavarur për kryetare të Bashkisë Tepelenë. Lajmin ajo e ndau me ndjekësit e saj në rrjetet sociale, duke shprehur entuziazmin për këtë hap të ri në jetën profesionale dhe personale.
“Jam shumë e lumtur të ndaj me ju këtë vendim si kandidate e pavarur për kryetare të Bashkisë Tepelenë,” shkruan Delinda në njoftimin e saj.
Vendimi i saj për të hyrë në politikë vjen pas një periudhe të tensionuar me televizionin MCN, ku ajo ishte e angazhuar si moderatore. Konflikti u bë publik për shkak të pretendimeve të Delindës për mosdhënie pagash për një kohë të gjatë, që solli përplasje verbale dhe ndarje përfundimtare nga televizioni.
Përtej medias, Delinda Zhupa Disha është një emër i njohur për publikun shqiptar për karrierën e saj në art dhe humor. Ajo ka qenë pjesë e trupës së spektaklit të famshëm “Portokalli”, ku u bë e njohur për rolet komike, si dhe ka marrë pjesë në projekte të tjera televizive si “Klanifornia”, duke spikatur me interpretimin dhe energjinë e saj në skenë.