Vendimi i Gjykatës Penale të Tiranës, e cila ka dënuar me 1 milion lekë të vjetra aktoren Egla Cenon, e cila akuzohej për veprën penale të “Shpifjes” nga moderatori i emisionit “Stop”, Saimir Kodra, ka ngjallur shumë polemika.
"Pamfleti" në një artikull shkruante se
"Egla Ceno rezulton të jetë instrument i krimit të organizuar për të sulmuar një gazetar që kishte guxuar të ekspozonte korrupsionin në sistemin gjyqësor shqiptar.
Sipas këtyre burimeve, Egla Ceno është takuar në qytetin e Elbasanit me gjyqtaren Pajtime Fetahu, e përfshirë në afera të rënda korrupsioni dhe e lidhur me struktura të krimit të organizuar, siç rezulton nga përgjimet dhe materialet e publikuara më parë nga media.
Në këtë takim, Ceno ka marrë porosi të drejtpërdrejtë nga gjyqtarja Fetahu për të sulmuar publikisht Saimir Kodrën, duke përfshirë në deklaratat e saj pretendime të rreme me karakter denigrues.
Qëllimi i këtij veprimi ishte hakmarrja ndaj gazetarit, i cili prej vitesh kishte investiguar rastet e korrupsionit të lidhura me emrin e Pajtime Fetahut; dosje ku dyshohet se ajo ka marrë ryshfet për lirimin e personave të dënuar për vepra të rënda."
Pas këtij raportimi Egla ka reaguar publikisht me ironi ndaj mënyrës si disa media e kanë trajtuar rastin.
Aktorja e njohur shprehet me tonë thumbues se “po të kishte pasur lidhje me politikën apo krimin, nuk do të mbetej me një rrogë aktoreje prej 500 mijë lekësh të vjetra”. Ajo shton se nuk do të ndalet “deri në fund të së vërtetës”, ndërsa me humor e përmbyll reagimin me fjalinë: “Unë nuk jam Egla Ceno, jam Al Capone”.