
Modelja dhe influencerja e njohur shqiptare, Oriola Marashi, ka reaguar publikisht pas kritikave që mori në rrjetet sociale për një video të postuar më herët, ku përdori fjalën “gabi”, një term që konsiderohet ofendues për komunitetin Rom.
Në një postim në Instagram, Oriola sqaroi se përdorimi i këtij termi ka qenë i paqëllimshëm dhe se nuk ishte në dijeni të kuptimit diskriminues që mbart fjala.
“Në një video që kam postuar më herët, përdora pa dashje një fjalë që nuk e dija se ishte ofenduese për komunitetin Rom. E kam hequr videon dhe dua të kërkoj ndjesë nëse dikush është ndier i lënduar. Kam respekt të madh për çdo kulturë dhe komunitet në vendin tim,” – shkroi ajo.

Reagimi i Marashit erdhi pas dhjetëra komenteve nga ndjekës dhe aktivistë që e ftuan ta reflektojë mbi përdorimin e fjalës “gabi”, e cila rrjedh nga termi “gabel”, një shprehje që ka konotacione raciste dhe diskriminuese.
Një ndër komentet që tërhoqi vëmendje ishte ai i Dr. Kaim Hadroj, pedagog i Romologjisë në Universitetin e Bielefeldit, i cili i kërkoi publikisht Oriolës ta hiqte videon dhe të kërkonte falje:
“Fjala ‘gabi’ është diskriminuese për minoritetin Rom në Shqipëri. Ligjërisht, përdorimi i saj mund të cilësohet si promovim i diskriminimit. Ju ftoj ta hiqni videon dhe të kërkoni ndjesë, për ndikimin negativ që mund të ketë.”
