Hailey Bieber ka folur hapur për qasjen e saj ndaj bukurisë natyrale dhe presionit për ndërhyrje estetike. Në një intervistë për podcastin “In Your Dreams” me Owen Thiele, ajo zbuloi se ende nuk ka përdorur botoks përveç një rasti mjekësor për nofullën.
“Nuk kam bërë asnjëherë botoks në fytyrë. Vetëm në nofull, për shkak të TMJ. I kisha premtuar vetes që s’do të bëja botoks para të 30-ave. Kur të arrij, do shoh nëse dua apo jo ta bëj,” – tregoi 28-vjeçarja.
Hailey, e cila më parë ka mohuar zërat për ndërhyrje plastike, u shpreh se frymëzohet nga nëna e saj, Kennya Baldwin, 57 vjeçe, që nuk ka bërë kurrë injeksione për rrudha.
“Mamaja ime s’bën asgjë për lëkurën dhe duket mahnitshme,” – tha ajo.
Si një sipërmarrëse në industrinë e bukurisë, Hailey është jashtëzakonisht e përkushtuar ndaj kujdesit të përditshëm të lëkurës. Përveç produkteve të Rhode, ajo përdor edhe marka të njohura si Avène, BeautyStat, EltaMD, Naturium dhe Cosrx.
Por Bieber nuk është kundër trajtimeve estetike jo-invazive. Ajo ndau me dëgjuesit disa prej trajtimeve që preferon:
“Më pëlqen shumë PRP pra kur të marrin gjakun nga krahu, e përpunojnë dhe e kombinojnë me mikroneedling. E kam bërë shpesh dhe më ka dhënë rezultate të shkëlqyera.”
Përveç PRP-së, Hailey përdor edhe PRF (platelet-rich fibrin), një metodë e ngjashme, ku gjaku i vet nxehet dhe ftohet derisa të marrë një formë xheli, për t’u riinjektuar në zona si vijat e buzëqeshjes apo poshtë syve.
“Më pëlqen sepse vjen nga trupi im, ndaj e besoj. E bëj disa herë në vit,” – shtoi ajo.
Në fund, Bieber theksoi se përtej trajtimeve të reja, sekreti i saj është kujdesi i vazhdueshëm, gjumi dhe rutina e thjeshtë, por e qëndrueshme.
Një qasje që, siç duket, e mban ende larg “tox-it” të paktën, për tani.
