Në një kohë kur çdo emocion matet me reagime, “selfiet duke qarë” janë kthyer në simbolin më të diskutueshëm të ndjeshmërisë online. Disa i quajnë të sikletshme, të tjerë të guximshme. Por a janë vërtet aq cringe sa mendojmë?

Fotot që tregojnë një fytyrë të fryrë, sytë e skuqur dhe grim të rënë, zakonisht të kapura në banjë apo në makinë, janë bërë pjesë e re e estetikës digjitale. Nga Bella Hadid tek Emma Chamberlain apo Dove Cameron, çdo vajzë që ka postuar një lot publik është vendosur në qendër të debatit:

A është kjo një kërkesë për ndihmë, apo thjesht një mënyrë për të treguar se edhe dhimbja mund të duket bukur?

Në Reddit, dikush shkruante:

“Të postosh foto të vetes duke qarë për vëmendje është super cringe. Ju lutem, ndaloni.”

Por në të njëjtën kohë, postimet vazhdojnë të shumohen. A janë këto foto një akt guximi emocional apo shenjë e obsesionit tonë me veten?

“E postova sepse doja të kujtoja që s’do të ishte gjithmonë kështu keq”. Venus, 33 vjeç, gazetare në Londër, tregon se e publikoi videon e saj duke qarë në fund të vitit 2021. Ishte e lodhur nga puna, e mbingarkuar nga jeta në një qytet të huaj. Një burrë i panjohur e ndaloi buzë lumit dhe e pyeti nëse ishte mirë.
“Kur u ktheva në shtëpi, mendova  duhet ta postoj këtë. Ndoshta dikush tjetër ndihet njësoj.”

Postimi nuk u bë viral, por për të kishte kuptim. Ishte një kujtesë që edhe momentet më të errëta janë të vlefshme për t’u dokumentuar.

Regina, 26 vjeç, e sheh si mënyrë për të treguar realitetin. “Të gjithë postojnë sukseset. Por unë dua që miqtë e mi të shohin edhe kur nuk jam mirë. Është mënyra ime për të treguar se jeta nuk është gjithmonë e kuruar.”

Ayana, 32 vjeç, e cila humbi një fëmijë, ndau publikisht një foto ku qante. “Kisha frikë se njerëzit do të mendonin që kërkoja vëmendje, por ishte e vërteta ime. Qaja çdo ditë, pse ta fshihja?” Ajo beson se ndoshta “po e marrim shumë seriozisht”. “Nëse dikush do të qajë në internet, lëreni ta bëjë. Nuk është fundi i botës.”

Katherine, 26 vjeç, tregon se për gratë me ngjyrë, që shoqëria shpesh i detyron të jenë “të forta”, një video ku qajnë mund të jetë revolucionare.
“Ne nuk duhet të jemi gjithmonë të përmbajtura. Edhe ne kemi të drejtë të jemi njerëz.”

Sarah-Kate, 32 vjeç, pas divorcit publikoi një video ku një lot i vetëm i rrëshqiste në faqe. “Nuk e bëra për keqardhje. Ishte një mënyrë për ta kthyer dhimbjen në diçka estetike, artistike.”

Edlyn, 33 vjeç, e pranon me humor: “Kam postuar ndoshta mbi 30 herë foto duke qarë. Nuk e shoh si tragjike. Është pjesë e jetës, e narrativës sime.”
Në trup ajo ka një tatuazh që thotë “So sad, so sexy”. Dhe ndoshta aty fshihet e gjithë filozofia e brezit të ri: trishtimi mund të jetë i bukur, nëse është i vërtetë.

Në fund të fundit...
Ndoshta s’ka rëndësi nëse një “crying selfie” është kërkesë për ndihmë apo performancë. Rëndësi ka që, në një botë ku ndjenjat shpesh fshihen pas filtrave, dikush guxon të tregojë se edhe lotët mund të jenë pjesë e historisë që po jetojmë.