Supermodeli dhe aktivisti global Elton Ilirjani ndriçoi skenën e Taipei Fashion Week SS26, duke u shndërruar në një nga figurat më të përfolura dhe më të dashura të javës së modës në Tajvan.
Prania e tij u shënua në disa prej momenteve më të rëndësishme të ngjarjes, nga pasarela e Ray Chu, te prezantimi ekskluziv i House of Story Wear, e deri te Vogue Fashion’s Night Out, ku Ilirjani u nderua si I Ftuari i Nderit, më 18 tetor 2025, në Chianti Avenue Fashion Boulevard.
Ilirjani sfiloi për Ray Chu, një nga zërat më të veçantë të modës bashkëkohore aziatike, duke interpretuar me finesë identitetin e lirë dhe stilin urban që karakterizojnë estetikën e dizajnerit.
Një ditë më vonë, në House of Story Wear, supermodeli u bë pjesë e një fashion presentation me tonë të ngrohta dhe autentike, ku moda u paraqit si një akt ndërgjegjeje — përfshirëse, etike dhe njerëzore.
Krejt ndryshe nga çdo pasarelë, momenti kulmor i qëndrimit të tij në Taipei ishte Vogue Fashion’s Night Out, ku Elton Ilirjani iu drejtua të pranishmëve me një mesazh që përfshiu thelbin e gjithë rrugëtimit të tij ndërkombëtar:
“Kjo sfilatë ishte padyshim më e preferuara ime! Liria është më e nevojshme se kurrë!” — deklaroi Ilirjani me emocion.
Ky sezon shënoi edhe përmbylljen e World Fashion Tour, një udhëtim që e çoi Ilirjanin përmes Islandës, New York-ut, Londrës, Milanos, Parisit dhe Taipeit, me një total prej 25 sfilatash — një rekord që përforcon pozitën e tij si një ndër figurat më të spikatura në industrinë globale të modës.
Falë bashkëpunimeve të suksesshme me Giuseppe Iaciofano dhe Malan Breton, Elton Ilirjani vazhdon të ndërtojë ura mes artit, modës dhe filozofisë së lirisë njerëzore, duke sfiduar çdo kufi gjinor apo kulturor.
Në Taipei, ai gjeti një “dashuri të re”, modën elegante dhe shpirtin e ndershëm të Tajvanit, që e përshkroi si “një estetikë të pastër dhe të sinqertë, që pasqyron bukurinë e brendshme të njerëzve të saj.”
