View this post on Instagram
Tre vrasje me thikë për tri orë.
Në Durrës, një djalë ther babain.
Në Tiranë, picieri ther kuzhinierin.
Në Berat, dikush ther dikë për një kalë.
M’u dukën si tre pika gjaku mbi hartë.
Një hartë e vogël që s’e mban dot më mllefin e vet.
Nuk e di çfarë po na ndodh.
Por e ndjej që po jetojmë me dhëmbët shtrënguar.
Në këtë vend, nxehemi për çdo gjë, për një fjalë, për një shikim, për një vend parkimi.
Temperatura jonë kombëtare është “e papërmbajtur”.
Duket sikur jemi bërë kombi i shpërthimit të menjëhershëm. Si kazan që zien pa kapak, derdhemi në çdo drejtim.
Në rrugë, në shkollë, në debate televizive, në parlament, në rrjete sociale, dëgjon të njëjtën britmë primitive:
“E di ti kush jam unë?”
Shqipëria nuk është thjesht një nga vendet më të varfër në Europë. Por është ndër më të stresuarit. Prej vitesh, Gallup na rendit në mesin e 5 vendeve më të stresuar në botë.
Varfëria nuk është vetëm materiale është edhe emocionale, kulturore, institucionale.
Është emocionale sepse jemi lodhur duke duruar, dhe askush nuk na ka mësuar si të flasim pa britur, si të kërkojmë ndihmë pa pasur turp. Është kulturore sepse vlerat i kemi kthyer në metrikë, dinjitetin në “engagement”, sharjen në sport kombëtar. Algoritmi na fal dopaminë, por na vjedh busullën. Është institucionale sepse sistemi nuk të ndihmon, nuk të përfaqëson, nuk të mbron. Ai ose është i korruptuar, ose i lodhur, ose thjesht nuk është fare aty kur të duhet.
Krimi nuk lind në momentin kur merret thika.
Fillon shumë më herët.
Në mënyrën si flasim. Si shajmë. Si e bëjmë humorin me poshtërim.
Në mënyrën si nënçmojmë, si ndërpresim njëri-tjetrin.
Në mënyrën si fëmijët dëgjojnë kur i ofendojmë njerëzit në trafik, si ulemi në kafe dhe shajmë fqinjët, politikanin, Gonin e teze Landës që ka bërë lekë, parukeren e pandershme që shkon me këdo.
Pastaj çuditemi pse rriten me zemërim, kur ai është mësimi i parë që japim në këtë vend.
Pastaj vjen mungesa e vetëkontrollit.
Në këtë vend, më lehtë gjen një thikë, se një ndjesë.
Më shpejt ngrihet dora, se ulet koka.
Më shumë kemi frikë të dukemi “të dobët”, sesa të bëhemi vrasës.
Thika është simptomë. Sëmundja është shumë e thellë.
E megjithatë, çdo mëngjes ne dalim në rrugë si të mos ketë ndodhur asgjë, derisa lajmi i radhës të bëjë xhiron e portaleve.
Dhe themi: “Tragjedi… çfarë po bëhet me njerëzit?” Por njerëzit jemi ne.
Djalin në Durrës e kanë arrestuar. Picierit në Tiranë i janë vënë prangat. Vrasësi në Berat nuk është më i lirë.
Por vrasësi i vërtetë nuk është në qeli.
Ai ecën i lirë mes nesh: quhet zemërim.

 
                                     
                                     
                                     
                                    