
Anthony Hopkins do të shënojë në dhjetor një pikë historike personale: 50 vite pa alkool. Ishte dhjetori i vitit 1975 ai ishte 38 vjeç kur kuptoi “se kishte nevojë për ndihmë” dhe u lidh me një grup të Alkoolistëve Anonimë. Që atëherë, nuk ka prekur më asnjë pikë alkool dhe shpesh ka folur publikisht për të, për të inkurajuar këdo që lufton me varësinë.
Në një intervistë për podcastin The Interview të The New York Times teksa më 4 nëntor publikon edhe autobiografinë e tij 87-vjeçari kthehet pas te 29 dhjetori 1975, nata kur vendosi të ndalonte:
“Isha krejt i dehur dhe po drejtoja makinën këtu në Kaliforni, pa ditur as ku po shkoja. Mund të kisha vrarë dikë. Ose veten time gjë që atëherë as që më interesonte.”
Ai tregon se u zgjua në një dhomë hoteli në Arizona, pa e ditur si kishte mbërritur. Më pas, në një festë në Beverly Hills, iu kthye agjentit me fjalët: “Kam nevojë për ndihmë.”
Hopkins e kujton me hollësi atë natë vendimtare:
“Pashë orën ishin fiks 11. Një zë i thellë, i fuqishëm, m’u foli nga brenda: ‘Tani mbaroi gjithçka. Mund të fillosh të jetosh, dhe gjithçka ka pasur një qëllim. Mos e harro kurrë.’ Ishte një zë nga hiçi, por vinte nga thellë brenda meje.”
Që prej asaj dite, jeta e tij ndryshoi rrënjësisht. Prej vitesh, çdo 29 dhjetor ai shënon në rrjete sociale një vit tjetër esëll, me mesazhe që nxisin kërkimin e ndihmës:
“Të argëtohesh është gjë e mrekullueshme, të pish një gotë është në rregull. Por nëse ke problem me alkoolin, kërko ndihmë,” ka thënë ndër të tjera në videon e vitit 2024.
I ftuar te podcasti, Hopkins shpjegon pse pinte:
“Pija për të mbytur një parehati të brendshme, por edhe sepse alkooli është magjepsës të dërgon menjëherë diku tjetër. Mendoja: ‘Kjo është jeta. Jemi rebelë dhe festojmë.’ Por, në fund, ekzistonte edhe ndjesia: ‘Alkooli do të të vrasë.’”
Ai kthehet edhe te viti 1974, kur luante në Broadway rolin e Dr. Martin Dysart te Equus i Peter Shaffer:
“Para se kushdo tjetër të dilte nga teatri, unë isha te bari duke e ‘pirë shpirtin’. Më dukej argëtuese dhe në një farë mënyre ishte.”
Por pranon se si koleg ka qenë “minë me sahat”: hangover të përhershëm dhe sjellje fyese në festa.
“S’kam shumë kujtime të qarta. Di vetëm se ka qenë ferr të kishe pranë dikë si unë.”
Për Hopkins, alkooli është kapitull i mbyllur prej gati pesë dekadash dhe, siç thotë me një qetësi të fituar me mund, “dekadat e fundit kanë qenë një kënaqësi e vërtetë.”
View this post on Instagram
