Pas albumeve 'Swag I' dhe 'Swag II', njoftimit për rikthimin e shumëpritur në skenën e Coachella-s, lançimit të markës së re të veshjeve e aksesorëve 'SKYLRK' dhe disa paraqitjeve në ndeshje basketbolli ku tregoi se di të luajë, Justin Bieber hap një kapitull të ri: debuton si streamer në Twitch. Mes bisedash spontane, reflektimeve të çiltëra dhe momenteve të papritura live, këngëtari po na fut në mendimet e tij.

Gjatë transmetimeve, ai herë pas here e citon ose e telefonon bashkëshorten, Hailey Bieber, me të cilën ndan edhe jetën e re si prindër të vogëlushit Jack Blues Bieber.

Në njërën prej transmetimeve të para, Bieber hodhi një tezë që ndezi diskutime kudo në rrjet:

“Nëse edhe vetëm mendon për një grua me dëshirë, është sikur e ke bërë tashmë. Sikur ke tradhtuar, ose diçka e tillë. Është e njëjta gjë, edhe nëse të kalon në mendje për një sekondë.”
Fjalët e tij e ndanë internetin më dysh: nga njëra anë, ata që e vlerësojnë sinqeritetin dhe faktin që s’ka frikë të flasë për tema intime shpesh të lidhura edhe me besimin e tij  dhe nga ana tjetër, ata që e quajnë qasje puritane. Por, siç thonë vetë fansat në komente, njerëzit ndryshojnë.

Ka edhe një kamp të mesëm: ata që pranojnë se vlerësimi i bukurisë është i natyrshëm në çdo marrëdhënie, por dëshira e përsëritur, fantazia e vazhdueshme dhe “shëtitja me mendime” mund të jenë sinjale alarmi. E sigurisht, nuk mungon ironia: “Po nëse thjesht dëshira quhet tradhti, atëherë s’ka më logjikë.”

Në 2025, kufijtë janë më të paqartë se kurrë veçanërisht për Gen Z, të rritur mes DM-sh, zemrash, reagimesh dhe follow-esh. Për disa, të ndjekësh një profil vetëm pse e gjen tërheqës është infidelitet digjital; për të tjerë, xhelozia për këto gjeste është e tepruar.

E vërteta? S’ka rregull universal. Kufiri mes respektit dhe lirisë vizatohet në çift, me komunikim të shëndetshëm, ndershmëri dhe pak vetëdije emocionale. Dhe ky kufi ndryshon nga një marrëdhënie te tjetra.

Në stilin e vet, Bieber e përmbyll idenë me referenca që fansat i njohin: mbase është më mirë të mendosh se vetëm “Baby” jote është “Yummy”, të kesh “Intentions” të pastra që të jesh një “Boyfriend” i mirë që të mos kërkosh “Sorry” kur mund të jetë vonë.