(Photo by Noam Galai/Getty Images for WSJ. Magazine Innovators Awards)

Ylli i pop-it Billie Eilish përdori skenën e një ceremonie çmimesh për t’u bërë thirrje miliarderëve që të dhurojnë më shumë nga pasuria e tyre teksa në sallë ndodhej një nga njerëzit më të pasur në botë.

23-vjeçarja mori çmimin 'Music Innovator of the Year' nga 'Wall Street Journal Magazine' dhe, në fjalimin e saj, u shpreh:

“Jemi në një kohë kur bota është vërtet shumë e keqe dhe e errët,” citohet të ketë thënë Eilish nga Rolling Stone. “Njerëzit kanë nevojë për empati dhe ndihmë më shumë se kurrë, sidomos në vendin tonë. Nëse ke para, do ishte fantastike t’i përdorje për gjëra të mira dhe ndoshta t’ua japësh atyre që kanë nevojë.”

Sipas Rolling Stone, pas disa duartrokitjeve të lehta, Eilish vijoi me një mesazh edhe më të drejtpërdrejtë:

“Ju dua të gjithëve, por ka disa këtu brenda që kanë shumë më tepër para se unë. Nëse je miliarder, pse je miliarder? Nuk ju urrej, por dhurojini paratë tuaja.”

Në audiencë ishte edhe themeluesi i Facebook, Mark Zuckerberg, me vlerë neto të raportuar 227.9 miliardë dollarë, sipas USA Today. Një burim i cituar nga People tha se Zuckerberg nuk duartrokiti gjatë komenteve të Eilish.

Megjithëse vetë është multi-milionere, këngëtarja qëndroi pas fjalëve të saj: sipas Wall Street Journal, ajo po dhuron 11.5 milionë dollarë nga fitimet e turit të fundit për organizata që luftojnë pabarazinë ushqimore dhe ndryshimet klimatike.