
Ish-Zonja e Parë e SHBA-së, Michelle Obama, po kthehet në qendër të vëmendjes këtë herë jo për politikë, por për stil, bukuri dhe autenticitet. Me 4 nëntor, në SHBA del në treg libri i saj më i ri “The Look”, ku ajo ndan filozofinë e saj personale për modën, kujdesin ndaj vetes dhe marrëdhënien me pamjen e jashtme.
Në një intervistë për revistën People, 61-vjeçarja tregoi si e sheh sot veten, pas viteve të kaluara në Shtëpinë e Bardhë.
“Nuk më frikësojnë thinjat e mia, por i lyej gjithsesi. Edhe mamaja ime bënte njësoj, i lante flokët dhe i lyente deri në ditën që ndërroi jetë,” – tha ajo me buzëqeshje.
Michelle rrëfeu se që prej largimit nga jeta politike, ka përqafuar look-un që e bën të ndihet më e lirë: gërshetat afrikane.
“Për mua, janë simbol i lirisë. Më japin mundësinë të mos mendoj për flokët gjatë gjithë kohës. Mund të notoj, të luaj tenis, të jetoj më natyrshëm. Kur isha në Shtëpinë e Bardhë, nuk isha e sigurt nëse vendi ishte gati për një pamje të tillë,” – tregoi ajo me sinqeritet.
Dikur, gjatësia e saj 1.80 metra e bënte të ndihej në siklet. Sot, ajo e sheh si një bekim.
“Kur isha vajzë e re, babai më thoshte gjithmonë: ‘Mos u përkulo, qëndro drejt, je e gjatë, je e bukur.’ Besoj se aty filloi gjithçka. Edhe sot, çdo ditë përpiqem të shikoj veten në pasqyrë dhe t’i përsëris vetes se jam inteligjente, e bukur, e mirë dhe e denjë.”
Michelle është e njohur për stilin e saj aktiv të jetesës.
“Shëndeti ka qenë gjithmonë prioritet për mua: çfarë ha, si stërvitem, kontrollet mjekësore gjithçka që më lejon të shijoj këtë fazë të jetës. Ndihem më e gjallë se kurrë,” – tha ajo për People.
Në moshën 61-vjeçare, Michelle Obama mbetet një shembull frymëzimi për shumë gra në mbarë botën një grua që flet me sinqeritet, forcë dhe elegancë, duke treguar se bukuria e vërtetë fillon me pranimin e vetes.

 
                                     
                                     
                                     
                                    