
Të flasësh me fëmijët për para nuk është tabu është një mënyrë për t’i mësuar atyre pavarësinë, përgjegjësinë dhe vetëdijen financiare. Në Ditën Botërore të Kursimeve, një raport i Revolut tregon se fëmijët dhe adoleshentët po mësojnë të kursejnë që në moshë të vogël madje duke përdorur edhe aplikacione digjitale.
Sipas të dhënave, fëmijët 10–13 vjeç arrijnë të kursejnë mesatarisht 301 euro, ndërsa adoleshentët 14–16 vjeç rreth 183 euro secili. Numri i të rinjve që përdorin aplikacione si Revolut Kids & Teens është rritur me 79% në një vit një shenjë pozitive në një vend që ende vuan nga mungesa e edukimit financiar.
Tetë këshilla praktike për prindërit
1. Ktheje jetën e përditshme në një mësim praktik
Përfshiji fëmijët në vendime të vogla financiare nga supermarketet te pushimet. Shpjego pse zgjedh një produkt dhe jo një tjetër. Ata mësojnë duke parë, jo vetëm duke dëgjuar.
2. Jepu një pagë xhepi të rregullt, jo “kur të kujtohesh”
Një shumë fikse, edhe modeste, i ndihmon të planifikojnë. Mund të shtosh “bonuse” për detyra shtesë, por mësimi i vërtetë është të kuptojnë dallimin mes të ardhurave të qëndrueshme dhe atyre të rastit.
3. Ndihmoi të vendosin objektiva konkrete
Kursimi nuk është vetëm “mos harxho”. Mund të jetë një qëllim një lodër, një udhëtim, një telefon. Qëllimi i jep kuptim durimit.
4. Shpjego vlerën e kohës
Trego se kursimi sot mund të sjellë fitim nesër. Edhe pak para të ruajtura rriten me kohën një mësim i parë mbi investimin.
5. Ndihmoi të dallojnë mes dëshirave dhe nevojave
Para çdo blerjeje, pyeti: “A ke nevojë për këtë apo thjesht e do?” Një pyetje e thjeshtë që ndërton mendim kritik.
6. Ji shembull
Fëmijët mësojnë më shumë nga sjellja sesa nga fjalët. Bëhu model, shmang blerjet impulsive dhe fol hapur për buxhetin dhe qëllimet e familjes.
7. Mësoji vlerën e solidaritetit
Paraja nuk është vetëm për t’u shpenzuar është edhe për t’u ndarë. Ndihmoi të kuptojnë rëndësinë e dhurimit, bamirësisë apo mbështetjes ndaj një kauze.
8. Ktheje financën në lojë
Përdor aplikacione edukative ose lojëra familjare si “Kush kursen më shumë këtë muaj?”. Kur mësimi bëhet argëtim, paraja s’më duket më “temë për të rritur”.
