Duke nisur nga 1 nëntori, udhëtimi me transportin urban në linjën Kamëz–Tiranë do të kushtojë më shumë. Çmimi i biletës do të rritet nga 40 lekë në 50 lekë, ndërsa abonentët mujorë do të paguajnë 14 mijë lekë, nga 12 mijë që ishte aktualisht.

Operatori i linjës i është drejtuar zyrtarisht Bashkisë së Kamzës me një kërkesë për rritjen e tarifave, duke e argumentuar vendimin me shtimin e kostove të karburantit dhe shpenzimeve operative.

Kërkesa është shoqëruar me një analizë ekonomike dhe raport financiar që justifikon ndryshimin e çmimeve. Pas shqyrtimit nga Drejtoria e Transportit dhe komisionet përkatëse të Këshillit Bashkiak, propozimi është miratuar me votim, duke hyrë në fuqi menjëherë në fillim të muajit nëntor.