
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka bërë hapin e saj të parë zyrtar në botën e skincare-it. Ajo ka bashkuar forcat me markën luksoze gjermane Augustinus Bader, për të sjellë një linjë të re produktesh që mban emrin “DUA”.
Linja përbëhet nga tre produkte bazë një larës, një krem dhe një serum me efekt ndriçues me çmime që variojnë nga 40 deri në 80 dollarë. Produktet janë tashmë në shitje në faqen zyrtare të markës dhe përmbajnë një përbërës të ri inovativ të zhvilluar nga Augustinus Bader, i quajtur TFC5, i cili synon rigjenerimin e lëkurës së re dhe parandalimin e dëmtimeve të hershme.
Charles Rosier, bashkëthemelues dhe CEO i Augustinus Bader, tha se partneriteti me Duan lindi në mënyrë organike pas takimit të tyre në një gala humanitare të UNICEF në Saint Barth. “Dua inspiroi shumë njerëz, dhe publiku i saj është perfekt për të sjellë këtë teknologji te një brez më i ri. Produktet janë menduar për lëkurë më të re dhe janë më të përballueshme,” – u shpreh ai për WWD.
View this post on Instagram
Në intervistë, Rosier theksoi se linja është krijuar për një rutinë të thjeshtë, por jashtëzakonisht efektive, bazuar në përvojën personale të Duas. “Ne ramë dakord ta përqendrojmë kujdesin tek tre produkte thelbësore. Nuk ka produkt të katërt në planet,” tha ai me humor.
Këngëtarja ka qenë drejtore krijuese e linjës, duke u marrë personalisht me ngjyrat e paketimit, teksturën e formulave dhe filozofinë e markës. “Ajo frymëzon me energjinë e saj pozitive dhe jetën dinamike. Ne sollëm shkencën, ajo solli vizionin,” –tha Rosier.
Marka “DUA” do të funksionojë vetëm si brand online, i pavarur nga Augustinus Bader, por me teknologjinë e tij si bazë. “Është marka e saj, me identitetin e saj por që mbart ADN-në tonë shkencore,” -shtoi CEO-ja.
Kjo nuk është përvoja e parë e Duas në botën e bukurisë. Kujtojmë se ajo është edhe fytyra e parfumit “Libre” të YSL Beauté, një nga aromat më të shitura në botë.
Në një treg që po përqafon gjithnjë e më shumë minimalizmin e kujdesshëm dhe vetëpërkujdesjen inteligjente, duket se Dua Lipa po ndërton jo vetëm një imperium muzikor, por edhe estetik, ku thjeshtësia dhe shkenca takohen nën një emër: DUA.
