Në prag të 70-vjetorit të saj, Kris Jenner ka ndarë sekretin e saj të parë të bukurisë, shëndetit dhe jetëgjatësisë: sauna-n. “E bëj sa më shpesh që mundem,” -ka rrëfyer ajo, duke shtuar se është frymëzuar nga life coach-i Tony Robbins, i cili beson se një seancë sauna dy herë në javë mund të zgjasë jetën me 30–40%.

Por a qëndron vërtet ky pohim? Eksperti italian i jetëgjatësisë, dr. Riccardo Midolo, e shpjegon kështu:

“Përfitimet e sauna-s nuk kufizohen vetëm te relaksi. Në fakt, ajo është si një stërvitje e lehtë aerobike për trupin. Nxehtësia stimulon sistemin kardiovaskular, rrit rrahjet e zemrës, përmirëson qarkullimin e gjakut dhe ndihmon oksigjenimin e indeve.”

Sipas dr. Midolo-s, ekspozimi ndaj temperaturave të larta aktivizon prodhimin e endorfinave (hormonit të lumturisë) dhe ul nivelin e kortizolit, hormonit të stresit. Kjo çon në reduktim të inflamacionit kronik, përmirësim të gjumit dhe të cilësisë së lëkurës.

“Në planin afatgjatë,” -shton ai, – “ky ekspozim i kontrolluar ndaj nxehtësisë ndihmon trupin të forcojë rezistencën qelizore dhe të ruajë mirëqenie të përgjithshme.”

Për të përfituar maksimumin, sauna rekomandohet 2-3 herë në javë, për 10–15 minuta. Qëllimi nuk është të sfidosh limitet, por të dëgjosh trupin tënd. Pas seancës, thekson mjeku, dushi i ftohtë ose zhytja në ujë akull janë thelbësore:

“Kontrasti mes të nxehtit dhe të ftohtit aktivizon qarkullimin, forcon imunitetin, tonifikon muskujt dhe rrit ndjesinë e euforisë natyrale.”

Pas saunës, është e domosdoshme të rifitosh lëngjet dhe mineralet, për të shmangur rënien e tensionit apo ndjenjën e dobësisë.

Megjithëse sauna është një aleate e fortë për shëndetin, nuk rekomandohet për personat me sëmundje të zemrës, tension shumë të ulët, apo inflamacione akute. Po ashtu, duhet shmangur menjëherë pas një stërvitjeje të rëndë, pasi mund të shkaktojë marramendje, si edhe gjatë ditëve të para të ciklit menstrual.


Në fund, sekreti i Kris Jenner duket më pak “hollywoodian” dhe më shumë shkencor: një ritual i thjeshtë, por i fuqishëm, që stimolon trupin, qetëson mendjen dhe ndoshta… zgjat jetën.