Kur temperaturat bien dhe simptomat e para të gripit na trokasin në derë, shumë kërkojnë ndihmë në ilaçet farmaceutike. Por, sipas naturopates italiane Anna Bianchi, zgjidhjet më të mira ndodhen në shtëpi, në kuzhinë, në kopsht, apo në një filxhan çaji të ngrohtë.

Në librin e saj të ri “La tua farmacia naturale (Receta të thjeshta dhe kura të lashta për t’u shëruar me atë që ofron natyra)” (botuar nga Piemme më 4 nëntor 2025), Bianchi rikthen në qendër mjekësinë tradicionale mesdhetare, duke sjellë receta të thjeshta që ndihmojnë trupin të shërohet në mënyrë natyrale.

“E kam shkruar si një manual praktik,” -shpjegon ajo. “Në libër ka një kapitull që quhet ‘Mini farmacia’, me bimët që duhen pasur gjithmonë në shtëpi dhe mënyrat për t’i kthyer në kura të përditshme. Sepse, kur natyra është pranë, shërimi fillon menjëherë.”

1. Dekoti i pishës kundër dhimbjes së fytit
Një nga recetat e preferuara të Bianchi-t është dekoti me pisha të thata, i cili vepron si dezinfektues i natyrshëm për fytin dhe gojën.

Përgatitja:

Merrni disa pisha të thata dhe zieni në ujë për 2 minuta.
Kullojeni dhe përdoreni si gargare në mbrëmje.
Ky përbërës aromatik parandalon viruset dhe bakteret, dhe mund të ruhet në frigorifer për 2–3 ditë.


2. Avujt me rozmarinë dhe dafinë për hundët e bllokuara
Në rastet e ftohjeve të forta dhe sinusiteve, Bianchi këshillon një metodë të lashtë, por efektive:

“Vendosni një tenxhere me ujë të valë dhe shtoni një grusht të mirë rozmarine ose dafina të freskëta ose të thata. Pa vajra esencialë, sepse vetë bima mjafton.”
Si ta përdorni:
Mbuloni kokën me një peshqir dhe thithni avujt për disa minuta. Edhe nëse hunda është e mbyllur, nxehtësia ndihmon në shkrirjen e mukusit dhe pastrimin e rrugëve të frymëmarrjes.


3. “Lëngu i butë mbrojtës”: supë pastruese dhe anti-inflamatore
E quajtur nga autorja “brodo gentile” (lëngu i butë), kjo recetë është një supë e lehtë me perime dhe erëza, e cila ndihmon trupin të pastrohet dhe të rikuperohet gjatë gripit.

Përbërësit (për 2 filxhanë):

1 fetë e hollë xhenxhefili të freskët (opsional, por i dobishëm)
1 karotë e vogël e prerë hollë
1 copë qepë e kuqe me lëkurë (një fetë e trashë)
1 gjethe dafine e freskët
1 thelb hudhre i shtypur, pa qëruar
1 majë kripe deti ose 1 lugë të vogël miso të bardhë
400 ml ujë natyral
Përgatitja:
Vendosni të gjithë përbërësit në një tenxhere me ujë.
Lëreni të vlojë, pastaj uleni zjarrin dhe ziejeni të mbuluar për 20 minuta.
Kullojeni dhe shtoni pak vaj ulliri të papërpunuar ose miso për shije.

Ky lëng ul temperaturën, nxit djersitjen, stimulon diurezën dhe ndihmon trupin të eliminojë toksinat.