
Një këmishë e bardhë, një kostum klasik me xhaketë të zezë dopio-boton dhe pantallona të drejta. As logo, as bizhuteritë e shtrenjta, as ngjyrat e forta që e karakterizojnë zakonisht, vetëm elegancë, rregull dhe përmbajtje.
Ky ishte “look-u” i Chiara Ferragni në seancën e dytë paraprake të procesit gjyqësor për çështjen e njohur si Pandoro Gate, që lidhet me shitjen e vezëve të Pashkës me qëllime bamirësie. Një paraqitje që, pavarësisht rezultatit të procesit, do të mbetet një nga imazhet më të komentuar të vitit 2025.
Pas një heshtjeje 24-orëshe në rrjete sociale, sipërmarrësja dhe influencuesja italiane u shfaq në Gjykatën e Milanos me një elegancë të matur që fliste më shumë se çdo deklaratë publike. Pa fjalë, por me një mesazh të qartë: besueshmëri dhe profesionalizëm.
Zgjedhja e Ferragni-t ishte shumë e menduar: një tailleur klasik, një çantë lëkure në sup dhe takë të holla, një kombinim që rikthen në vëmendje trendin që mediat ndërkombëtare e kanë quajtur #courtcore, apo estetika e sallës së gjyqit.
View this post on Instagram
Ky stil, i karakterizuar nga ngjyra neutrale, prerje të pastra dhe zero ekzagjerime, synon të komunikojë seriozitet, përmbajtje dhe respekt për institucionin ku ndodhesh.
E njëjta qasje u pa edhe te Gwyneth Paltrow, e cila u vlerësua për mënyrën se si menaxhoi paraqitjen e saj gjatë procesit civil të vitit 2023 në SHBA. Edhe rastet e Amber Heard apo Anna Sorokin treguan se në sallën e gjyqit, çdo detaj i veshjes kthehet në deklaratë.
Ende i freskët në kujtesën e publikut është imazhi i Chiara Ferragni-t në dhjetor 2023, kur ajo kërkoi falje përmes një videoje virale, e veshur me një “tuta gri” që u shit menjëherë pas publikimit.
Tani, ajo zëvendëson tonet e buta me të zezën absolute ngjyrën e forcës dhe maturisë, por edhe të heshtjes dhe përmbajtjes. Një zgjedhje që, përtej modës, dërgon një mesazh: “jam këtu për të dëgjuar, jo për të bërë spektakël”.
Në këtë shfaqje të dytë publike para drejtësisë, Ferragni përçoi një imazh të kontrolluar, të disiplinuar dhe të kujdesshëm, duke kujtuar se në botën ku çdo detaj fotografohet, edhe kostumi mund të flasë në vend të fjalëve.
