Një dekadë pas pretendimeve se Jay-Z ishte babai i tij biologjik, gjykata e Kalifornisë ka hedhur poshtë përfundimisht padinë e ngritur nga Rymir Satterthwaite, duke i dhënë fund një historie të gjatë dhe të shumëpërfolur në media.

Sipas dokumenteve të siguruara nga Page Six, gjyqtari kalifornian pranoi kërkesën e avokatëve të reperit për të mbyllur çështjen me paragjykim, që do të thotë se Satterthwaite, 30 vjeç, nuk mund të padisë më për të njëjtën çështje dhe as të kërkojë test ADN-je për të provuar atësinë e Jay-Z, emri i vërtetë i të cilit është Shawn Carter.


Rymir kishte pretenduar në gjykatë se Jay-Z kishte pasur një lidhje me nënën e tij, Wanda Satterthwaite, në fillim të viteve ’90, dhe se ai ishte fryt i asaj marrëdhënieje. Carter e ka mohuar në mënyrë të përsëritur këtë pretendim ndër vite.

Në fakt, nëna e Rymirit, e cila ndërroi jetë në vitin 2016, kishte tentuar vite më parë të padiste reperin, por gjykata në Nju Xhersi e hodhi poshtë kërkesën, duke e cilësuar të depozituar në juridiksionin e gabuar.
Çështja u riaktivizua në vitin 2014 nga kujdestarja ligjore e Rymirit, Lillie Coley, e cila paraqiti sërish dokumentet.

Në maj të vitit 2023, Rymir kërkoi me urdhër gjykate që Jay-Z të detyrohej të bënte testin e ADN-së, duke theksuar për Daily Mail:

“Kjo nuk do të përfundojë derisa të bëhet drejtësi. Nuk do të ndalem së luftuari derisa ta fitoj, dhe do ta fitoj, sepse ligji është në anën tonë.”
Megjithatë, në korrik të të njëjtit vit, ai publikoi në Instagram një video ku konfirmonte se po e tërhiqte përkohësisht padinë, duke shtuar:

“E kam tërhequr çështjen time. Po bëhen shumë gjëra pas dyerve të mbyllura. Nuk e kam ndalur luftën. Thjesht duhet të mendojmë si në shah, jo si në dam.”

Avokatët e reperit 55-vjeçar, nga ana tjetër, e kanë quajtur këtë çështje “ngacmim të përsëritur ligjor”, duke theksuar se:

“Këto pretendime të fabrikuara janë shqyrtuar dhe rrëzuar nga disa gjykata të ndryshme ndër vite. Kjo është thjesht vazhdimi i një fushate që ka zgjatur dekada.”