Blake Lively ka deklaruar se ka humbur rreth 161 milionë dollarë si pasojë e asaj që ajo e cilëson si një fushatë të organizuar njollosjeje kundër saj, gjatë dhe pas publikimit të filmit 'It Ends With Us'.

Sipas dokumenteve të cituara nga Variety, avokatët e aktores argumentojnë se reputacioni i saj është dëmtuar rëndë, duke i shkaktuar humbje të mëdha financiare në disa fronte të karrierës.

Në padi, humbjet e Lively-t detajohen si më poshtë:

-56.2 milionë dollarë në të ardhura të kaluara dhe të ardhshme nga aktrimi, produksioni, ligjëratat dhe kontratat e reklamave;
-49 milionë dollarë humbje nga linja e saj e kujdesit për flokët, Blake Brown;
-22 milionë dollarë humbje nga kompanitë e pijeve Betty Buzz/Betty Booze;
-të paktën 34 milionë dollarë dëm në imazh dhe reputacion.
Në total, shuma shkon në rreth 161 milionë dollarë, ndërsa avokatët e aktores kërkojnë nga gjykata të paktën trefishin e kësaj shume në formë dëmesh ndëshkuese.

Këto shifra, sipas raportimeve, janë përfshirë në një deklarim financiar që i është dorëzuar palës së mbrojtjes në korrik, pas padisë fillestare që Lively depozitoi më 31 dhjetor 2024.

Ylli i Gossip Girl është aktualisht në një proces gjyqësor kundër regjisor-it dhe partnerit të saj në film, Justin Baldoni, si dhe studios së tij Wayfarer Studios, të cilët ajo i akuzon për ngacmim seksual gjatë xhirimeve të dramës së vitit 2024 It Ends With Us. Baldoni i ka mohuar kategorikisht këto akuza.

Lively po ashtu ka paditur ekipin e PR-it të Baldonit, duke pretenduar se ata kanë orkestruar një fushatë të mirëfilltë njollosjeje kundër saj, pasi ajo bëri publike akuzat. Pjesë e kësaj padie ka qenë edhe eksperti i PR-it në rrjetet sociale, Jed Wallace, por kërkesa ndaj tij është rrëzuar në korrik.

Në janar, Baldoni ka kundërpaditur Blake Lively dhe bashkëshortin e saj, Ryan Reynolds, duke i akuzuar për shantazh dhe shpifje dhe duke kërkuar 400 milionë dollarë.

Megjithatë, në qershor, një gjykatës federal hodhi poshtë këtë kundërpadi.

Javën e kaluar, çështja e kundërpadisë mori fund edhe formalisht, pasi gjyqtari Lewis Liman, i cili po drejton procesin, deklaroi se Baldoni dhe bashkëpaditësit e tij kishin vendosur të mos depozitonin një ankesë të rishikuar.