Përkthyer nga Vogue
Rrushi është i pasur me lëndë ushqyese dhe fibra, ndaj prej kohësh njihet për përfitimet që i jep shëndetit: ul tensionin e gjakut, redukton kolesterolin, ndihmon tretjen, mbron funksionet njohëse e shumë të tjera. Më pak i njohur është fakti që i bën jashtëzakonisht mirë edhe lëkurës. Përbërësit që nxirren nga rrushi përdoren kudo nga masazhet dhe kompreset për lëkurën, te vajrat e banjës dhe kozmetika.

Falë përmbajtjes së lartë të antioksidantëve, vitaminave dhe mineraleve, rrushi konsiderohet një aleat i fortë kundër plakjes së parakohshme. Lëkurat e rrushit të kuq janë veçanërisht të pasura me resveratrol, një polifenol i famshëm që i jep edhe verës së kuqe efektet e saj të mundshme mbrojtëse për zemrën.

Kur bëhet fjalë për lëkurën, resveratroli ndihmon në:
• mbrojtjen nga radikalet e lira
• uljen e inflamacionit
• përmirësimin e elasticitetit të lëkurës

Studimet shkencore kanë treguar se resveratroli ka efekt mbrojtës kundër dëmeve të shkaktuara nga rrezatimi UV dhe stresi oksidativ në lëkurë, madje edhe ndaj disa formave të kancerit të lëkurës. Meqë shumë probleme dermatologjike nisin nga ekspozimi ndaj diellit dhe radikalet e lira, ky antioksidant shihet si një përbërës me shumë potencial kundër plakjes së lëkurës dhe çrregullimeve të tjera të saj.
Përveç polifenoleve, rrushi është i pasur edhe me:
• vitaminë C – stimulon prodhimin e kolagjenit
• vitaminë A – nxit rigjenerimin qelizor
• vitaminë K dhe vitaminat e grupit B – ndihmojnë në stabilizimin e elastinës dhe mbrojtjen ndaj radikaleve të lira dhe dëmeve nga rrezet UV

Të gjitha këto bashkë kontribuojnë në një lëkurë më të tonifikuar, më elastike dhe më të mbrojtur nga plakja qelizore.
Rrushi përmban edhe acid tartarik, një alfa-hidroksiacid (AHA) natyral. I aplikuar në mënyrë topike, ai ka efekt eksfoliant dhe ndriçues, duke e bërë lëkurën më të lëmuar dhe më uniforme në ton. (Kuriozitet: pikërisht acidi tartarik është arsyeja pse rrushi është toksik për qentë.)