
Data e lirimit nga burgu e Sean “Diddy” Combs është shtyrë me një muaj. Fillimisht, producenti i muzikës pritej të përfundonte dënimin në Institutin Federal të Korrektimit Fort Dix në Nju Xhersi më 8 maj 2028. Të mërkurën, Page Six konfirmoi se lirimi i tij është zhvendosur në 4 qershor 2028.
Arsyeja e saktë e ndryshimit nuk është bërë publike, por ky zhvillim vjen pas raportimeve se reperi ka shkelur disa rregulla të burgut. Përfaqësuesit e Combs dhe Byrosë Federale të Burgjeve nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës së Page Six për koment.
Javën e kaluar, TMZ raportoi se Combs ishte “në telashe me autoritetet e burgut” për konsumim të alkoolit të prodhuar në kushte burgu, të bërë nga sheqer i fermentuar, pije Fanta dhe mollë.
Zëdhënësi i Combs i tha Page Six se fituesi i Grammy-t ndodhej “në javën e parë në FCI Fort Dix [pas transferimit nga Metropolitan Detention Center në Bruklin] dhe po fokusohej të përshtatej, të punonte me veten dhe të bënte më mirë çdo ditë.” Ai shtoi: “Si me çdo person me profil të lartë në një mjedis të ri, gjatë kohës së tij atje do të ketë shumë thashetheme dhe histori të ekzagjeruara shumica të pavërteta. Kërkojmë t’i jepet përfitimi i dyshimit dhe privatësia për t’u fokusuar te rritja personale.”
Të premten, CBS News raportoi se Combs dyshohet se ka shkelur sërish rregullat duke marrë pjesë në një telefonatë të ndaluar me ndërmjetësim (three-way call). Sipas raportit, biseda e dyshuar ka ndodhur më 3 nëntor, katër ditë para se Combs të transferohej në burgun me siguri të ulët në Nju Xhersi, ku edhe u publikua fotoja e re e tij me flokë dhe mjekër gri.
Combs ka pohuar se nuk e dinte që “telefonatat me palë të treta janë të paautorizuara”, pasi nuk i ishte dorëzuar manuali i pranimit dhe orientimit të burgut. Përfaqësuesi i tij mohoi që “telefonata procedurale” të ishte “e papërshtatshme”, duke theksuar se ajo “mbrohej nga privilegji avokat-klient”.
Combs ndodhet në paraburgim që nga shtatori 2024, kur u akuzua për komplot për zhvatje (racketeering); trafikim seksual me forcë, mashtrim ose detyrim; dhe transportim për t’u angazhuar në prostitucion. Gjyqi nisi në maj; dy muaj më vonë, ai u gjet fajtor për dy akuza për transportim për prostitucion, ndërsa u shpall i pafajshëm për akuzat më të rënda. Në tetor, gjykata e dënoi me 4 vjet e 2 muaj burg.
Përveç dënimit me burg, Combs u urdhërua të paguajë një gjobë prej 500,000 dollarësh dhe të marrë pjesë në programe për shëndetin mendor dhe abuzimin me substanca.
