Futbollisti i kombëtares gjermane dhe ylli i Borussia Dortmund, Karim Adeyemi, është dënuar nga autoritetet gjermane me një gjobë prej 450 mijë eurosh, pas hetimeve që nisën mbi një vit më parë për armëmbajtje të paligjshme. Në të njëjtin incident ishte përfshirë edhe partnerja e tij, këngëtarja me origjinë shqiptare Loredana Zefi.

Sipas raportimit të gazetës Bild, policia gjermane kishte zbuluar në sendet personale të çiftit “dy objekte të klasifikuara si armë të ndaluara”, duke hapur menjëherë procedimin penal. Rasti ka kaluar në disa faza verifikimi, derisa gjykata dha vendimin përfundimtar këto ditë.

Vendimi parashikon një gjobë të ndarë në 60 këste mujore, nga 7,500 euro secili. Edhe pse Adeyemi shmangu dënimin me burg apo një shënim penal në dosjen e tij, mediat gjermane e kanë përshkruar ngjarjen si një “goditje serioze ndaj imazhit” të një futbollisti të nivelit ndërkombëtar.

Nga ana e tij, sulmuesi nuk ka reaguar publikisht. Përmes menaxherit të njohur Jorge Mendes, u komunikua se armët nuk ishin blerë me qëllim, por ishin pjesë e një “mystery box” të porositur në TikTok, një pretendim që siç nënvizojnë ekspertët e së drejtës nuk e përjashton përgjegjësinë ligjore për posedimin e tyre.

Klubi verdhezi publikoi një deklaratë të shkurtër ku theksoi se “e merr shumë seriozisht çdo çështje të natyrës penale” dhe se është në komunikim të vazhdueshëm me lojtarin dhe autoritetet gjermane. Ende nuk dihet nëse ndaj Adeyemit do të ndërmerren masa të brendshme disiplinore, ndërsa media vendase sugjeron se Dortmundi pritet të hapë një hetim të brendshëm.

Ngjarja ka ngritur sërish pikëpyetje mbi sjelljen jashtë fushe të futbollistit dhe ndikimin e saj në karrierën e tij sportive, veçanërisht në një moment ku ai konsiderohej ndër talentet më të rëndësishme të futbollit gjerman.