Lajmi se Nike dhe Palace kanë bashkuar forcat për të hapur një hapësirë të përbashkët në South London, ka vënë në lëvizje të gjitha mediat. Hapësira që ka për qëllim të bëjë bashkë komunitetin përmes disiplinave të sportit, kreativitetit dhe promovimit të krijuesve të rinj, do të hapet zyrtarisht për publikun më 11 Nëntor, në 33 Manor Place.

E vendosur në një ndërtesë historike të vitit 1895, e ngulitur thellë në trashëgiminë sportive të qyetit, qendra do të jetë e hapur falas për publikun gjashtë ditë në javë. “Manor Place” sipas bashkëthemeluesit dhe drejtorit kreativ Lev Tanju, nisi si një ide për ti dhuruar komunitetit një hapësirë të madhe dedikuar sportit, ku të gjithë mund të qëndrojnë lirshëm.

Qëllimi do të realizohet nëpërmjet tri zonave “The Park & The Cage”, zemra sportive e projektit, me elemente arkitekturore të frymëzuara nga vendet ikonike të Londrës si Southbank apo Stockwell. Me një skatepark modern dhe një “underground football cage” unik, i cili do të “shfaqet” në sipërfaqe gjatë ditëve të ndeshjeve për të pritur liga sezonale, gara komunitare dhe “open play”.

“The Front Room”, do të shërbejë si një ekspozitë për artistë të rinj apo të afirmuar, biseda kulturore dhe pop-ups, ku arti londinez do të marrë jetë. Po në këtë zonë, do të prezantohen edhe produktet ekskluzive Nike & Palace.

“The Residency” ndërkohë është një program që ofron studio pune për gjashtë krijues në rritje, për një periudhë nëntë mujore, pa pagesë. Rezidentët do të kenë mundësi të ekspozojnë veprat e tyre në “The Front Room”.

Hapja e Manor Place përkon edhe me një moment simbolik të partneritetit mes Nike dhe Palace përmes koleksionit të tyre të frymëzuar nga kultura e futbollit të viteve 2000, “P90 Collection”, i cili do të përfshi fanella futbolli, kostume sportive, atlete, bluza, pantallona dhe artikuj të tjerë.

Këto mekanizma të qendrës më të re të Nike & Palace promovojnë kreativitetin dhe dashurinë për sportin, duke lehtësuar aksesimin në shërbimet që ofrojnë dhe sic pretendon vetë Lev Tanju: “Eshtë një mënyrë për t’i dhënë Londrës diçka mbrapsht.”