
E njihni për rezervat e mëdha të naftës, peisazhet e shkretëtirës Rub’ al Khali, kulturën beduine, apo si zemra e ekonomisë së Lindjes së Mesme. Megjithatë Arabia Saudite, ka zbuluar vitet e fundit një dimension të ri. Atë të resorteve ultra-luksoze.
Në tetor të vitit 2022 me hapjen e “Banyan Tree AlUla”, i cili konsiderohet një ndër të hershmit resorte luksoze në vend, konceptuar me vila shkëmbore, pishina private dhe një ndër spa-të më të mira në rajon, vijoi një “maratonë” ndërtimesh të ngjashme.
Stile të ndryshme arkitekturore u ndërthurën për ti sjellë vendit frymën moderne, duke ruajtur autenticitetin e tij në elementët e interior-it por jo vetëm. Six Senses Southern Dunes, është rasti i arkitekturës futuriste, shkrirë në kodrat e arta të shkretëtirës. Ndërkohë që “Our Habitas AlUla” është një nga resortet më “boho-desert-chic” në Arabinë Saudite, me vila të integruara mes kanioneve të AlUlës pa prishur format shkëmbore.
Një ndër konceptet më të spikatura të llojit “rock-carved luxury resort” e solli Desert Rock Resort, i cili zyrtarisht filloi të pranonte rezervime në dhjetor të vitit 2024. Duke mos qenë e vetmja risi, pasi “Nujuma, a Ritz-Carlton Reserve – The Red Sea”, ishte i pari resort i rrjetit “Ritz-Carlton Reserve” që çeli dyert në maj të vitit 2024, në Lindjen e Mesme.
Në guidën e Class Explore kemi përfshirë emra që mbajnë firmën e hotelerisë së artë si “Shebara Resort” apo “The St. Regis Red Sea Resort”, të cilët ju sugjerojmë t’i vizitoni për një eksperiencë “once in a lifetime” në Arabinë Saudite.
