Një zhvillim i papritur ka tronditur redaksinë e “Wake Up”, një prej programeve më të ndjekura të mëngjesit në Top Channel. Burime të VoxNews raportojnë se drejtuesit e televizionit kanë vendosur të largojnë moderatoret Enxhi Nasufi dhe Neada Muçaj, pas një periudhe të gjatë tensionesh që kanë ndikuar ndjeshëm në atmosferën e punës dhe rrjedhën e programit.

Sipas burimeve, raportet mes dy moderatoreve s’kanë qenë prej kohësh në nivel optimal. Ajo që nisi si një sërë mosmarrëveshjesh të vogla në prapaskenë, me kalimin e kohës u përshkallëzua në debate të ashpra dhe, në disa raste, deri në përplasje fizike.

Tensionet kulmuan në puntatën e fundit ku të dyja ishin të pranishme. Publiku e vuri re menjëherë ftohtësinë mes tyre që reflektohej qartë në ekran. Në mes të këtij skenari, bashkëmoderatori Blendi Salaj u gjend në një pozitë të vështirë, duke u përpjekur të ruante ekuilibrin profesional dhe të shmangte përplasjet live.

Prej kohësh, Blendi, Enxhi dhe Neada kishin krijuar një treshe dinamike. Largimi i dy moderatoreve shënon një ndryshim të madh për “Wake Up”.

Mbetet për t’u parë se si Top Channel do ta riformatojë emisionin dhe cilët do të jenë moderatorët e rinj që do të marrin drejtimin.