
Kështjellat janë simboli që kanë shoqëruar fëmijërinë e të gjithëve. Prej vegjëlisë vajzat visheshin si princesha, për të jetuar emocionet e filmave të “Walt Disney” që dikur transmetoheshin në kanalet shumë të ndjekura Bang Bang apo Junior.
Ndonëse teknologjia ka zënë një pjesë të madhe të rutinës jo vetëm të të rriturve, por edhe të kohës që dikur fëmijët e zinin me lojra nëpër duar, ku bënin pjesë edhe princeshat me princërit e tyre, mrekullia e kështjellave vazhdon të egzistojë e jo vetëm në filma.
Gjermania, Franca, Austria janë disa nga shtetet më të famshme të Europës për kështjellat e tyre të vizituara masivisht nga turistët përgjatë viteve. Nga “Neuschwanstein Castle” në Bavari të Gjermanisë, tek “Kylemore Castle” në Irlandë, destinacioni i diamanteve të fshehura, apo “Château de Chenonceau” e Francës, kështjellat kanë të gjitha elemente unike në fasadën e jashtme apo ambjentet e brendshme të tyre, që e bëjnë realitetin të duket si një ëndërr e bukur.
Si pjesë e pasurisë kulturore, arkitekturore dhe si “sënduqe” që ruajnë historinë e gjurmët e së shkuarës për çdo shtet, këto kështjella kanë një tarifë simbolike për tu vizituar, duke ruajtur pjesa më e madhe e tyre akses të hapur në oborret e jashtme. Në galerinë nga Class Explore, ju ftojmë të zgjidhni të preferuarën tuaj!
