Top Channel ka zyrtarizuar sot largimin e moderatoreve Enxhi Nasufi dhe Neada Muçaj nga emisioni i mëngjesit “Wake Up”, duke mbyllur kështu një periudhë të gjatë tensionesh që prej muajsh kishin krijuar probleme në funksionimin e programit. Vendimi është marrë dhe ka hyrë në fuqi menjëherë, pavarësisht se një ditë më parë dy moderatorët u përpoqën të zbusnin lajmet që qarkullonin në rrjet.

Burime pranë produksionit bëjnë të ditur se konfliktet mes moderatoreve kishin nisur prej kohësh, duke u shfaqur shpesh edhe gjatë transmetimit live. Publiku kishte vënë re distancën mes tyre, mungesën e bashkëpunimit dhe ftohtësinë e dukshme në komunikim. Situata, sipas të njëjtave burime, ishte përshkallëzuar deri në përplasje fizike, çka e bëri të domosdoshme ndërhyrjen e kanalit.

Gjatë transmetimit të sotëm, “Wake Up” u rikthye me një formë të re. Blendi Salaj, i cili vijon të drejtojë programin, njoftoi se emisioni po hyn në një fazë të re me bashkëpunëtorë të rinj dhe një energji të ndryshuar. Ai prezantoi të ftuarën e ditës, ish-banoren e “Big Brother VIP”, Heidi Baci.

“Programi vjen i ridimensionuar dhe me një energji ndryshe,” u shpreh Salaj, duke shmangur çdo koment të drejtpërdrejtë mbi largimin e Enxhit dhe Neadës.