
Gjykata e Posaçme ka vendosur dy masa sigurie për zv.kryeministren Belinda Ballukun. Mësohet se masa e parë është pezullim i ushtrimit të detyrës dhe funksionit si zv. Kryeministre dhe ministre, ndërsa masa e dytë është ndalim i daljes jashtë vendit.
Vendimi i sotshëm është kërkuar nga prokurori Dritan Prençi dhe është autorizuar nga gjyqtari Erion Çela. Mbi Ballukun rëndon akuza e shkeljes së barazisë në tendera për Tunelin e Llogarasë.
Ministrja Balluku është marrë e pandehur rreth tre javë më parë nga Prokuroria e Posaçme në lidhje me ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Deri më tani ajo është zyrtarja më e lartë e qeverisë Rama, e cila ndodhet nën akuza nga Prokuroria e Posaçme.
Hetimi lidhet me procedurën e tenderit për Ndërtimin e tunelit të Llogarasë, në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë). Tenderi fillimisht u hap më 11 dhjetor 2020, u anulua dhe u rihap më 22 qershor 2021, me fond limit 18,967,810,952.08 lekë pa TVSH./Dosja.al
