Këngëtarja legjendare italiane Ornella Vanoni është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare, pas një arresti kardiak në banesën e saj në Milano, qyteti ku lindi më 22 shtator 1934 dhe me të cilin u identifikua gjatë gjithë karrierës.
Vanoni ishte një nga zërat më karakteristikë të muzikës “musica leggera” në Itali, me një aktivitet që nisi në vitet ’50 dhe zgjati gati shtatë dekada. Gjatë kësaj kohe ajo publikoi mbi 100 projekte – albume, EP dhe përmbledhje – dhe shiti më shumë se 55 milionë kopje, duke u renditur mes artisteve më të suksesshme italiane.
E njohur fillimisht si “cantante della mala” për këngët që tregonin historitë e botës së nëndheshme milaneze, ajo u bë e pavdekshme me hite si “Senza fine” dhe “L’appuntamento”, kjo e fundit e rizbuluar globalisht pasi u përfshi në filmin “Ocean’s Twelve” në vitin 2004.
Gjatë karrierës së saj, Vanoni eksperimentoi me pop, xhaz, soul dhe bossa nova, duke bashkëpunuar me emra të mëdhenj si Gino Paoli, Toquinho, George Benson, Herbie Hancock, Paolo Conte, Fabrizio De André, Lucio Dalla, Renato Zero e Riccardo Cocciante. Ajo mori pjesë gjithashtu në tetë edicione të Festivalit të Sanremos, duke u bërë një nga figurat më përfaqësuese të historisë së këtij festivali.
Në një nga intervistat e saj të fundit, këngëtarja reflektonte me sinqeritet mbi kalimin e kohës dhe fundin: “Nuk dua të vdes shumë vonë. Dua të jetoj për aq kohë sa unë i jap diçka jetës dhe jeta më jep diçka mua.” Me largimin e Ornella Vanonit, Italia humb një ikonë të pakrahasueshme të skenës muzikore, ndërsa publiku ruan një trashëgimi artistike “senza fine”.
