Në rrjetet sociale po qarkullon një trend i ri lifestyle që mediat ndërkombëtare e kanë pagëzuar “bed rotting”. Me pak fjalë: të qëndrosh në shtrat me orë të tëra, duke parë seriale, duke qëndruar në telefon, duke ngrënë snack-e dhe duke e quajtur këtë “ritual pushimi”.
Për shumë të rinj, kjo është forma e tyre e rebelimit ndaj kulturës së produktivitetit, ku pushimi shpesh shihet si faj, jo si nevojë.
Pse njerëzit po “kalben” me dëshirë në shtrat?
Krevati nuk është më thjesht vendi ku flemë. Po shihet si një lloj “spa personale”, ku:
-vendos çarçafë më cilësorë, që kujdesen edhe për lëkurën,
-ndez qirinj aromatikë,
-mban pranë librin, laptopin, çajin, maskën e fytyrës dhe një batanije të butë,
-fik shpesh njoftimet dhe e lejon veten të mos bësh asgjë.
Në të njëjtën linjë, po shtohet dhe koncepti i “sleep tourism”: hotele dhe resort-e që premtojnë gjumë perfekt me dhoma të optimizuara, aromaterapi, zhurma të bardha dhe analiza gjumi.
Kjo tregon se njerëzit kanë nevojë për pushim real, jo vetëm për “off” nga puna, por edhe nga mbingarkesa mendore.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë: jo çdo “pushim në shtrat” është self-care. Bed rotting mund të bëhet problem kur:
-zëvendëson higjienën bazë (nuk ha rregullisht, nuk lëviz, nuk kujdesesh për trupin),
-prish gjumin natën, sepse rri gjithë ditën i/e shtrirë,
-shndërrohet në mënyrë arratisjeje nga ankthi, stresi apo depresioni.
Nëse kalon ditë të tëra pa dalë nga krevati, humb interesin për aktivitetet që dikur të pëlqenin dhe kjo ndikon tek puna apo studimet, atëherë nuk është më trend i bukur TikTok-u është një sinjal se mund të kesh nevojë për mbështetje profesionale.
