Në TikTok dhe në mediat e huaja po dëgjohet gjithnjë e më shpesh shprehja “romanticize your life”, romantizoje jetën tënde. Në pamje të parë duket si një frazë klishe, por në fakt është kthyer në një filozofi të të jetuarit, sidomos për një brez që ndihet i lodhur nga ankthi, puna pa orar dhe presioni konstant për t’u “përmirësuar” gjithë kohën. Ideja është e thjeshtë: nuk bëhet fjalë të ndërtosh një jetë perfekte, por të shohësh me vëmendje gjërat e vogla dhe t’u japësh atyre peshën që zakonisht ia rezervojmë vetëm momenteve “të mëdha”.

Të romantizosh jetën nuk do të thotë të bësh sikur nuk ke probleme, sikur nuk ekzistojnë faturat, trafiku, lodhja apo përgjegjësitë. Do të thotë t’i kthesh momentet më të zakonshme në rituale të vogla kënaqësie, të shohësh veten si personazhin kryesor të ditës tënde, jo si figurantin në jetët e të tjerëve, dhe të mos presësh pushimet, fundjavën apo një event të madh për të thënë “po e shijoj jetën”. Në mediat ndërkombëtare, kjo frymë lidhet shpesh me konceptin skandinav të “hygge”: ngrohtësi, dritë e butë, batanije, një filxhan i ngrohtë, një bisedë e qetë me dikë që do jo luks, por komoditet i menduar, i ndërtuar me vetëdije.

Arsyeja pse ky trend po bën kaq shumë bujë është thellësisht njerëzore. Njerëzit janë të lodhur nga kultura e produktivitetit që pëshpërit pa pushim “duhet të bësh më shumë”, nga krahasimi i pafund në rrjete sociale, nga lajmet e rënda, pasiguritë ekonomike dhe ankthi për të ardhmen. “Romanticize your life” shfaqet si një kundërpeshë ndaj gjithë kësaj: një mënyrë për t’u fokusuar te ajo që ke tani filxhani yt i kafesë, mënyra si bie drita në dritare, shëtitja e shkurtër pasdite, aroma e një libri të vjetër, një buqetë me lule të lira që ia blen vetes pa ndonjë arsye të veçantë.

Psikologët e lexojnë këtë trend si një formë të thjeshtë, por të vlefshme, të kujdesit për veten. Sa më shumë vëmendje u japim momenteve të vogla, aq më shumë stërvisim trurin të vërejë të mirën dhe jo vetëm stresin. Romantizimi i jetës nuk është detyrim për ta dokumentuar çdo gjë online; është një ndryshim lenteje. Mëngjesi nuk është më thjesht kafe e pirë me nxitim teksa vrapon nëpër shtëpi, por pesë minuta të qëllimshme ku ulesh, fik njoftimet, dëgjon një këngë që të pëlqen, hap pak dritaren dhe e lejon veten të marrë frymë. Një shëtitje nuk bëhet vetëm për të “djegur kalori”, por për të parë dritat e qytetit, fytyrat e njerëzve, për të dëgjuar zhurmën e rrugës pa pasur patjetër një destinacion. Edhe detajet më të vogla – një shall i butë, një parfum që ta lidh mendja me një periudhë të bukur, një stil i thjeshtë, por i kuruar kthehen në elementë që i shtojnë atmosferë ditës.

Shumë vetë zgjedhin të mbajnë një ditar ose thjesht të shënojnë në fund të ditës tre gjëra të vogla që u kanë pëlqyer: një buzëqeshje e rastësishme, një email i mirë, një vakt i shijuar në qetësi, një ide e re që u erdhi papritur. Me kalimin e kohës, truri fillon t’i kërkojë vetë këto momente, gjen dritë aty ku më parë shihte vetëm ngut. Edhe koha me veten rifiton vlerë: një libër, një maskë fytyre, një film i vjetër i preferuar, një banjë e ngrohtë gjëra që shpesh i bëjmë në “autopilot”, por që marrin krejt tjetër kuptim, kur i trajton si takim me veten.

Natyrisht, si çdo trend, edhe ky ka anën e vet problematike. Romantizimi i jetës kthehet në presion kur çdo moment duhet të duket “esthetic”, kur realiteti nis të të duket i varfër vetëm sepse nuk është si në Pinterest, kur secila mëngjes-kafe krahasohet me “morning routines” perfekte të vajzave në Instagram. Në atë pikë, ajo që nisi si ndihmë bëhet burim stresi. E vërteta është se asnjë romantizim nuk e fshin kaosin: dita jote do të ketë sërish lodhje, lot, faturat e muajit, rradhët e pafund, mesazhe që s’të pëlqejnë. Ajo që ndryshon është vendimi yt për të kërkuar, brenda gjithë kësaj rrëmuje, edhe momentet e vogla të bukura.

Mesazhi për fund është i thjeshtë: nuk të duhet një jetë luksoze që ta romantizosh. Nuk ke nevojë për udhëtime ekzotike, për garderobë perfekte apo për shtëpi “instagramabile”. Mjafton të ndryshosh mënyrën si e sheh atë që ke tani: kafen e mëngjesit, dritën e telefonit që shuhet e pason pak heshtje, një mesazh të sinqertë nga dikush që të mendoi, faktin që edhe sot ke mundësinë të provosh sërish. Të shohësh veten si personazhin kryesor nuk kërkon skenë filmike; kërkon vetëm pranimin se jeta jote meriton vëmendje, edhe kur nuk duket aspak si film.